TIRANË- Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka hedhur një sërë akuzash ndaj opozitës dhe kryetarit të PD-së Lulzim Basha.

Ai i ka drejtuar dhe një thirrje Prokurorisë në lidhje me çështjen e dhunimit të 25-vjeçares Xhisiela Maloku dhe akuzave të nënkomisar Emiljano Nuhut duke i kërkuar të nxjerrë nëse ka qenë në polici me deputetin tjetër socialist Rrahman Rraja.

Balla deklaroi tha se nuk bëhet më politikë me baltë e shpifje duke i kërkuar prokurorisë të zbardhë çështjen e akuzave të opozitës ndaj tij.

“Thirrja ime sot ndaj prokurorisë edhe për shpifjen më të fundit, prokurorisë i kërkoj të hetojë menjëherë. Mjaft më me muaj për të zbardhur një çështje. Një çështje që zbardhet brenda ditës. Nëse unë apo Rrahman Rraja kemi qenë atje, ka prova. Kjo histori do jetë historia e turpit të Lulzim Bashës.
Me të shantazhu Lulzimi është turp. Grupi parlamentar i PS-së ka nxjerr prova të qarta se si Lulzim Basha ka shantazhuar bizneset në këmbim të parave për kompaninë e kunatit të tij.

Kjo do jetë një histori e radhës e turpit e Lulzim Bashës, shantazh ndaj deputetëve dhe kryetarit të grupit të mazhorancës. Por nga Lulzimi jo e jo, se me të shantazhu Lulzimi është turp, po unë nuk shantazhohem nga askush. Basha i ka bërë shantazh bizneseve për hir të kunatit të tij. Këtej zotohet se do bëjë vettingun e oligarkëve dhe nga ana tjetër i merr faturën”, tha Balla.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb