Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se Presidenti Ilir Meta ka shkelur rëndë Kushtetutën, pasi iu ka hequr të drejtën qytetarëve për të zgjedhur me anulimin e 30 qershorit. Ndër të tjera, Balla iu dërgoi një mesazh dhe kritikëve të Komisionit të Venecias, teksa tha se kur ky komision flet, të gjithë duhet të heshtin.

“Kërkesa jonë flet për një shkelje të rëndë të Kushtetutës, sepse kush i heq të drejtën popullit për të zgjedhur, shkel rëndë Kushtetutën. Kam dëgjuar një lumë kritikash përkundrejt Komisionit të Venecias dhe dua t’i them kujtdo, madje dhe ndonjërit që fjalën shkollëpak e përdor shumë, që Komisioni i Venecias është organi, ekspertiza, e gjithëpranuar jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe që kur ky komision flet, gjithë të tjerët duhet të heshtin”, tha Balla.

Më tej, Balla deklaroi se Komisioni i Venecias ka meritë në bërjen e Kushtetutës së Shqipërisë, pasi Kushtetuta që kemi sot, ka marrë dhe ka qenë pjesë e një procesi ekspertize të dhënë nga vetë Venecia.

“Jam një prej palëve të ftuar në Komisionin e Venecias për të sjellë kënvështrimin tonë. Dua të ndaj me ju që edhe ne kemi bërë disa komente të bazuara në raportin paraprak, që padyshim janë pjesë e procedurës strikte të Komisionit të Venecias. Kam dëgjuar një lumë kritikash përkundrejt Komisionit të Venecias dhe dua t’i them kujtdo, madje dhe ndonjërit që fjalën shkollëpak e përdor shumë, që Komisioni i Venecias është organi, ekspertiza, e gjithëpranuar jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë, dhe që kur ky komision flet, gjithë të tjerët duhet të heshin. Komisioni i Venecias ka meritë të veçantë në historinë e shtetbërjes të Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo Kushtetutë që kemi, ka marrë dhe ka qenë pjesë e një procesi ekspertize të dhënë nga Venecia. Dua që të gjithë ta presin me respekt verdiktin e Venecias dhe pastaj kush u zotua që do mbajë fjalën, ta mbajë”, deklaroi numri dy i PS.

Pyetjes nëse do të kthehet në Shqipëri ditën e diel, e cila është një ditë zgjedhjesh e dekretuar nga Presidenti Meta, Balla iu përgjigj: Ju uroj mirëseardhjen në Shqipëri të gjithë atyre që e kanë dëshirë sportin dhe ju uroj suksese atyre që do fitojnë maratonën e Tiranës.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb