TIRANË- Dekorimi me titullin “Martir i Demokracisë” nga Presidenti Bujar Nishani, i 67 anëtarëve të Ballit Kombëtar, të pushkatuar pa gjyq në vitin 1943 nga ish-komandanti i Brigadës së Parë Sulmuese, udhëheqësi komunist Mehmet Shehu, ka rindezur debatin publik në lidhje me ngjarjet që u përjetuan edhe në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, veçanërisht marrëdhëniet mes partizanëve dhe ballistëve.

Por çfarë ishin të dekoruarit e Nishanit, viktima apo martirë? Qendrime të ndryshme kanë mbajtur sot në studion e emisionit “Njerëz në Fokus” të moderatores Ola Bruko, historianë, studiues e politikanë.

Historiani Pëllumb Xhufi shprehet se presidenti i vendit ka bërë një detyrim të pamerituar, pasojë e të cilit janë edhe polemikat e ndezura.

“Dekorimi ishte i pamenduar, plot me paragjykime që ka ndezur një polemikë të kotë se çështja mund të quhet e mbyllur pasi autori i kësaj masakre paska bërë autokritikë. Kemi një rast që nuk është i vetmi. Unë gjykoj sjelljen e presidentit. Rrethana të ngjashme ka pasur Italia, Greqia po nuk di që ndonjë president në këto 60 apo 70 vjet të ngacmojë me këtë paragjykimin apo jo, duke identifikuar një të shkuar me problematikën aktuale. Tani martir i demokracisë? Pra, këta fshatarët e varfër dolën për të mbrojtur demokracinë në ‘43 apo ‘44 kur belgë, francëze e italianë dilnin për të shporrur bishën e egër, nazizmin? Nuk mund të flitet për Luftë Civile kur në Shqipëri ishte gjermani. Nuk mund të flasim për Luftë Civile kur ka një pushtues, e tillë është ajo që ndodhi në Spanjë, zgjati 3 vjet në Greqi, zgjati 4 vjet”.

Ndërsa historiani dhe pedagogu, Romeo Gurakuqi tha se dekorimi duhet të ishte bërë me kohë. Ai e sheh vendimin e presidentit si: “Shenjë nderimi, mesazh drejtuar publikut dhe politikës, historianëve”.

Sipas tij, ajo që ka ndodhur me pjestarët e Ballit Kombëtar ka qënë një masakër. “Udhëheqësit jugoslalve diktuan urdhrin që çoi në goditjen e organizatës rivale, Balli Kombëtar. Kjo që ka ndodhur ishte masakër. Lufta ka filluar në dhjetor të ‘43 dhe ka ardhur duke precipituar. Nëse vijojmë godasim organizatat nacionaliste, do mbetemi në pikën ku u nis kjo masakër”

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi i qendroi një deklarate të tij, që Presidenti mund të ketë marrë porosi apo këshilla në SHBA, pasi dekorimi vjen menjëherë pasi u kthye nga një vizitë. Klosi thotë se shqiptarët atje mund t’ja kenë këshilluar. Por nuk ka munguar sulmi ndaj Nishanit. Ai madje e ka cilësuar ‘për gjynah’.

“Presidenti Nishani ishte në SHBA dhe të ikurit atje nga Shqipëria janë të shumtë ndaj e lidha që ka marrë këshilla atje. Nuk di asgjë që i kanë thënë atje, por shfrytëzova faktin që ka qënë dhe direkt sa u kthye vendosi për dekorimin. Vendimin e kosideroj që Presidenti po i hedh benzinë këtij zjarri. Që kur dy profesorë kanë opinione dhe dokumente të ndryshme kjo tregon që është politizuar. Po na del që Balli u detyrua të bashkëpunonte me gjermanët. Balli në krye kishte disa njerëz të mençur që josheshin për pushtet. Është për gjynah ky President”.

Ndërsa studiuesi Auron Tare tha institucionet e historisë nuk kanë bërë një punë të mirëfilltë studiuese për të vënë paqe me historinë.

“Institucionet e historisë nuk kanë bërë një punë të mirëfilltë studiuese për të sjellë një lloj paqe me historinë , për të sjellë fakte më bindëse dhe detaje. Parimet themelore të kësaj përplasjeje janë të vendosur që në ‘44, kur forcat fituese u renditën në krahun fitues. Partizanët u ulën në krahun fitues. Fakti që kjo lëvizje u njoh si lëvizje fitimtare tregon mjaft për debatin. Anglezët nuk vendosën misione afër forcave të Ballit. Gjenerali i Brigadës, Trocki kur erdhi i ka pritur të gjithë, ka shënime të mrekullueshme. Oficerët anglezë kanë mbajtur ditarë. Një pjesë i kam blerë. Ka debate shumë të bukura. Po të lexosh një kapiten, ankohet, sepse sa herë bënin takim me shtabin, Ymer Dishnica i kërkonte pastë dhëmbësh ose sheqer se nuk kishin.

Kur vinte shtabi i Ballit, thoshte që pinin çaj, nuk kërkonin gjë”, ka treguar Tare.

Ndërsa Kapri e ka quajtur gjenocid vrasjen e 67 ballistëve.

“Këta ishin viktima, nacionalistët. Aty ka edhe gjenocid. Pushkatimi i tyre, janë lënë ata ortodoksë, shihet ndikimi i sllavëve nga Dushan Mugosha”, tha Kapri.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb