TIRANË

Banorët e Bregut të Lumit në Tiranë kanë dalë  sërish në protestë për mungesën e dëmshpërblimeve nga ndërtimi i Bulevardit të Ri. Ata në fjalën e tyre sulmuan ashpër kryeministrin e vendit si dhe kreun e bashkisë së Tiranës për mungesën e dëmshpërblimit.

Qytetarët e kësaj zone iu drejtuan edhe opozitës që nesër të ngrejë zërin në Kuvend për shqetësimin e tyre.

“I bëjmë thirrje opozitës së bashkuar ta ngre zërin nesër në Kuvend. Me gjakun tonë ushqehet krimi”, thanë banorët.

Bashkë me banorët ishte edhe deputeti i PD-së, Klevis Balliu, i cili iu bëri thirrje qytetarëve të bashkohen nesër në protestë  tek Kuvendi me studentët.

“Iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që nesër të bashkohen ne studentët. Ftoj të bashkohen të majtë e të djathtë. Ky njeri është kthyer në një rrezik kombëtar. Bashkohuni dhe ta largojmë këtë kolerë, që ka mbir në vendin tonë.

Po të njëjtin fat që kanë patur regjimet e Shqipërisë, edhe ky të njëjtin fat do të ketë. Është koha që të vendosin qytetarët, koha e bandave ka marrë fund. Këtë nuk e them unë, por e thotë sovrani. Të jeni nesër në orën 10 në Kuvend me protestën e studentëve, që kërkesat e tyre të plotësohen dhe zbatohen”, tha Balliu.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb