Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu deklaroi se demokratët nuk janë të përçarë, gjë që sipas tij e tregoi edhe mbledhja e tyre masive në 7 korrik në shesh para Kryeministrisë.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ me moderatoren Nisida Tufa, Balliu tha se ata që munguan ishin vetëm Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi, që sipas tij duhet t’i kërkojnë falje demokratëve, pasi këta të fundit i kanë dhënë atyre votën.

“Të gjithë biem dakord, se nëse opozita do të ishte me aq probleme sa propagandohet nga qeveria, ai shesh s’do ishte mbushur aq. nëse do të kishte konflikt dhe çarje, ai shesh s’do ishte mbushur. Nëse i referohemi 2-3 individëve që zgjodhën mos të ishin aty, ata duhet të bëjmë mesazh qytetarëve që t’i kërkojnë ndjesë opozitarëve, qytetarëve që kanë votuar për ta. S’mund të quash përçarje 2-3 persona. Basha, Bardhi dhe Alibeaj nuk ishin në atë protestë. Ata duhet t’i kërkojnë ndjesë që nuk ishin të pranishëm, pasi kanë marrë vota nga qytetarët. Me rëndësi është se sot indiferentizmi është thyer. I kemi gati të gjitha degët për t’u përballur me regjimin dhe jo vetëm. Protesta nuk është vetëm protesta. Do organizohemi në mënyrë që të kemi ide ë të reja në të mirë të vendit, sidomos sa takon situatës ekonomike.”, tha ai.

Mes të tjerash Balliu parashtroi disa arsye se pse e sheh Sali Berishën kryeministër të ardhshëm.

“Patjetër që po. Në situatën që është vendi, duhet një njeri që di se çfarë bën. Që ka informacion dhe kupton se çfarë do të thotë qeverisje. Se besoj se ka njeri tjetër më me eksperiencë, më të informuar dhe më të aftë për të qeverisur vendin. Liderit të PD iu përgjigjën qytetarët. Askush s’do e besonte 7 korrikun, apo 6 marsin. Ai i arriti të gjitha. Liderë të tillë janë të radhë.”, pohoi demokrati.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb