Ish-deputeti i PD Klevis Balliu i ftuar në rubkrikën “Opinion” në “News 24”  shprehet se Edi Rama bën provokime ndaj protestave të opozitës.

Balliu thekson se Rama provokon dhe kërkon viktima, me qëllim që të shpëtojë kokën e tij.

“Protesta e qytetarëve te Unaza e Re ka shpëtuar 40 milionë euro. Protestat kanë demaskuar projektin. Rama kërkon gjak për të shpëtuar kokën e tij. Ajo që më shqetëson mua është gjendja e atyre banorëve. Në vend që Rama dhe qeveria të qetësojë situatën, provokon. Edi Rama provokon që të ketë përplasje. Por, përplasja te Unaza mund të sjellë pasoja të mëdha dhe të parikuperueshme.”, tha Balliu.

Sipas tij, Rama është fajtori për gjithçka, pasi në këtë mes nuk kanë faj as policët dhe as banorët.

“Asnjë polic nuk ka faj. Këtu banorët nuk kanë faj. Pse duhet të përplasen policët me banorët, për Ramën? Duhet të përplaset gjithë Shqipëria, të kemi viktima në bulevard që të ketë viktima dhe Rama të shpëtojë karrigen. Rama ka futur njerëz në protesta për provokime. Qeveria të distancohet nga veprimet e dhunshme. Zgjidhja është e lehtë. Rama të legalizojë siç ka legalizuar ndërtesa të tjera në Tiranë”, shtoi ai.

Për Balliun, Rama çon policë te Unaza dhe kudo ku ka kauza qytetare, me qëllim që të tërheqë vëmendjen nga votimet moniste skandaloze të 30 qershorit, ku për të, u vodhën edhe vota.

“Dje solli policinë, për të fshehur dramën e madhe politike të udhëhequr nga Rama. Ai bëri 30 qershorin, zgjedhje diktatoriale në vend, duke tentuar të kthejë sistemin diktatorial në Shqipëri. Sot Policia e Shtetit, konkretisht Komisariati numër 6, me urdhër politik është kërkuar shoqërimi i banorëve. Pse duhet të arrestohen? Që kur është ndaluar të protestohet në vendin tonë? Kjo është qeveri banditeske”, u shpreh Balliu.

Klevis Balliu theksoi se opozita nuk bën pushim me protesta dhe demonstrata, për sa kohë që edhe krimi në pushtet nuk bën pushim. Ai vlerësoi se drejtësia është kapur nga Edi Rama.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb