Po thuajse 4 mijë qytetar të Ballkanit Perëndimor kanë marrë pjesë në anketën e realizuar për “(Mos) besimin ndaj mjekëve dhe institucioneve publike dhe private të kujdesit shëndetësor në Ballkanin Perëndimor”.

Qytetarët e Ballkanit Perëndimor kanë një nivel të ulët të besimit në sistemin e tyre shëndetësor, thuhet në hulumtimin e publikuar në revistën ndërkombëtare “Health Expectations”, që është realizuar nga profesorë të Ballkanit Perëndimor. Bazuar në të dhënat e këtij hulumtimi mjekët që punojnë në institucionet shëndetësore private gëzojnë besueshmëri më të lartë (X̄ = 6.6/10), kundrejt kolegëve të tyre që punojnë në institucionet shëndetësore publike (X̄ = 5.7/10).

Në rast se ata ose anëtarët e familjes së tyre duhet të vizitojnë një institucion shëndetësor, statistikat e këtij hulumtim flasin se gjysma e pjesëmarrësve në këtë studim do të zgjidhnin institucionet shëndetësore private në vend të atyre publike.

Përvoja më negative në Bosnje e Hercegovinë

Përvojë më negative me sistemin shëndetësor gjatë kohës së realizimit të këtij hulumtimi kanë pasur qytetarët e Bosnje e Hercegovinës. Rreth 68 për qind prej tyre janë deklaruar se gjatë 12 muajve të kaluar, të paktën një herë një herë ata ose të afërmit e tyre janë ballafaquar me përvojë negative gjatë pranimit të trajtimit mjekësore.

Përvojë më pak negative në përballjen e tyre me institucionet shëndetësore kanë pasur qytetarët e Kosovës, (49,8 për qind). Pas Bosnjes në këtë kategori rendit Serbia, e cila ndiqet nga Shqipëria, pastaj vjen Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Qytetarët e Shqipërisë preferojnë klinikat private

Kur vjen puna tek përzgjedhja e institucionit publik apo klinikave private, qytetarët e Shqipërisë kryesisht e zgjedhin këtë të fundit. Mbi 60 për qind e tyre janë shprehur se i preferojnë institucionet private të shëndetit. Ndërkohë, një situatë po thuajse krejtësisht ndryshe mbizotëron në Serbi, ku 57 prej të anketuarve janë deklaruar se i preferojnë institucionet publike të shëndetit. Në grupin e shteteve ku qytetarët më tepër i preferojnë institucionet publike të shëndetit hynë edhe Mali i Zi dhe Kosova. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, renditen në grup me Shqipërinë, ku klinikat private janë para atyre shtetërore.

Serbet më pak i besojnë sistemit shëndetësor

Në këtë studim, po ashtu është konstatuar se, në mesin e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor, ata që jetojnë në Serbi kanë besimin më të ulët në sistemin e kujdesit shëndetësor në përgjithësi (3.8/10) dhe te mjekët që punojnë në institucionet shëndetësore publike (5.3/10 ), raporton TRT. Ndërkohë, qytetarët në Shqipëri kanë besimin më të ulët tek institucionet shëndetësore private (6.3/10) dhe tek mjekët që punojnë në sektorin privat (6.3/10).

Gratë besojnë më shumë

Sipas anketës, janë gratë ato të cilat kanë më tepër besim në Sistemin Shëndetësor dhe mjekët në Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse, dallimi mes tyre dhe meshkujve nuk është i theksuar, pjesëmarrësit femra në këtë anketë kishin pikë më të larta krahasuar me meshkujt në pyetjen lidhur me besueshmërinë në klinikat private. Sipas këtyre të dhënave gratë në Shqipëri, ju besojnë klinikave private, ndërsa në Bosnje, gratë më tepër kanë besim te mjekët që punojnë në mjekësinë publike.

Ky studim është realizuar gjatë periudhës 25 korrik deri më 30 tetor të vitit 2021, ku kanë marrë pjesë 3789 anketues nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb