Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ka deklaruar se procesi i Berlinit nuk është zëvendësues i procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, por kontribuon dhe inkurajon atë.

Në samitin e mbajtur sot në Berlin, Pahor tha se ishte i lumtur që u arrit në një konsensus se zgjerimi i BE-së me Ballkanin Perëndimor është një çështje e rëndësishme gjeopolitike.

Në fjalën e tij, Pahor theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.

“Si procesi i Berlinit dhe nisma e Ballkanit të Hapur janë të rëndësishme. Me integrimin evropian, Ballkani i Hapur, që jo të gjithëve u pëlqen, do të shuhet vetvetiu dhe do të arrihet integrimi dhe do të vendoset bashkëpunimi”, shtoi ai.

Pahor përshëndeti rekomandimin e Komisionit Evropian për t’i dhënë statusin kandidat Bosnjë-Hercegovinës para fundit të këtij viti dhe shtoi se, së bashku me liberalizimin e vizave për Kosovën, do të jetë një pikë kthese e rëndësishme për ringjalljen e perspektivës evropiane.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb