Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 ka analizuar nismën ‘’Ballkani i Hapur’’ mes tre vendeve të rajonit, Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut dhe refuzimin e vazhdueshëm të Kosovës.

Nazarko thotë se Kosovës i duhet patjetër bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Perëndimin, madje sërish ngulmon se Kurti me Ramën duhet të flasin me njëri-tjetrin për të gjetur një gjuhë të përbashkët dhe jo përçarëse përballë serbëve si dhe në takimin e fundit në Shkup.

Ai thekson se Kosova momentalisht armën më të fortë përballë Serbisë e ka marrëveshjen e Uashingtonit, por bën gabim të madh që nuk po e konsideron më atë.Marrëveshjet ndërkombëtare kanë vlerë pavarësisht kush vjen në pushtet.

Nga ana tjetër Nazarko propozon që Kosova dhe Shqipëria duhet të bëhen bashkë në çdo iniciativë, përfshi edhe ‘’Ballkani i hapur’’, pasi për të kufizuar ndikimin e Serbisë duhet të shkojnë bashkë dhe të ulen me të.

PYETJA: E nisim nga çështja e Ballkanit të Hapur, iniciativë e konsoliduar Vuçiç, Zaev Rama. Mbtet në 3 nga 6 republikat e rajonit. Të tjerat nuk përfshihen. Kurti e kundërshton dhe një pjesë e mirë e partive të Kosovës e kanë kundërshtuar. Ku do shkojë e gjitha kjo? Lëvizje politike e 3 liderëve apo mund të çojë në hapa konkretë ekonomikë?

MENTOR NAZARKO: Rreziku ekziston që prej kësaj iniciative të mbetet vetëm fotografia e takimeve periodike dhe mos ketë veprime konkrete, ligje e marrëveshje, modifikime të rëndësishme sa të zhbëjnë vijat ndarëse në Ballkan,sepse shtetet ballkanike janë të ngadalshme për të prishur statuskuonë..

Në lidhje me Ballkanin e Hapur, le të përpiqemi të dalim nga dy narrativat dominante. Një është ajo e Ramës dhe e dyta e Kurtit. S’ka diskutim që në lidhje me këtë çështje, narrativa e Kurtit është me e fuqishme. Rama edhe për shkak të konsumit në pushtet  apo prej sigurisë së fitores në mandatin e tretë, nuk ka qenë efektiv në komunikim ta mbrojë iniciativën. Kurti që sapo ka ardhur në pushtet, ka më shumë  energji, aparat më të fuqishëm propagandistik, veçanërisht në rrjete sociale, ku informohet shumica e popullit. Për opinionin e gjerë mbarëkombëtar, të duket sikur dominon narrativa e tij, që e portretizon nismën si në favor ekskluziv të Serbisë, ndonëse Kurti në vetë të parë ishte i kujdesshëm dhe nuk e sulmoi Shqipërinë, por bëri largpamësin kundër ndikimeve ruse dhe kineze.

CËshtja e narrativave dhe asnjanësimit të tyre, është themelore për të kuptuar realitetet, në epokën e rrjeteve sociale.Shpesh herë në cështje sensitive në Ballkan, shtetet donatore investojnë dhe në zhbërjen e narrativave. Britania e Madhe për të arritur suksesin, projektin e vet për gjyqtarët në Kosovë kishte dhënë 5 milion euro për zhbërjen e narrativave- lexova në një medium serb.

Duke ardhur pas tek Minishengeni:Rama ka qenë i dobët në mbrojtjen e kësaj që ka bërë. Por le të shkojmë në rrënjën historike të afërt të inisiativës: i ashtuquajturi MiniShengen është i hershëm. Dikur në vitin 1991 e kishte emri Ballkani Ballkanasve dhe synonte ta vinte në jetë Papandreu i madh, i vjetër, profesor i Harvardit, duke tentuar të përjetësonte qoftë axhendën ekonomike greke në Ballkan, qoftë të kufizonte ndikimin perëndimor, duke pretenduar se ai përfaqësonte ekskluzivisht Perëndimin në Ballkan. Nano ndonëse si lider opozite, nënshkroi një marrëveshje me Papandreun për këtë nismë.

Në 1996 kemi Procesin e Bashkëpunimit Politik të Europës Juglindore (SECPP), që u institucionalizua. Në 1999 kam qënë në Shkup, sapo kishte rënë Millosheviç, edhe amerikanët u përfshinë në këtë proces, dhe qëllimi ishte që në një atmosferë sa më të relaksuar, të shënohej pajtimi i Jugosllavisë me Shqipërinë (Koshtunica me Meidanin shtrënguan dorën për herë të parë). Më pas Xhorxh Sorosi në Forumin e Salzburgut e quajti Minishengenin në vitin 2000, dhe autorësinë apo lobimin e tij në Ballkan e pranon dhe Paskal Milo, ish ministër i jashtëm. Paralel me këtë kemi të ashtuquajtur edhe procesin e Berlinit si institucionalizim takimesh mes liderëve të Ballkanit në nivele të ndryshme, për projekte të përbashkëta infrastrukturore dhe teknologjike, nën kujdestarin e Gjermanisë që synonte që projektet ndërlidhëse të Ballkanit e  të financuara nga BE të diskutoheshin në këtë tryezë. Ky instrument-tryeza e nivelit të lartë të liderëve ballkanas, u rizbulua nga SHBA, administrata Trump.

Pse u përfshi administrata Trump?

Për ta kuptuar këtë përfshirje, le të lexojmë marrëveshjen e Uashingtonin që sot feston 1-vjetorin. SHBA u investua për një tryezë të ngjashme me procesin e Berlinit që të menaxhonte 12 miliardë dollarë, akorduar nga amerikanët pikërisht për të kufizuar ndikimin kinez dhe rus. E identifikuan këtë forum jashtë BE, paralel me BE, që të kufizonte ndikimin rus dhe kinez, dhe madje nxitën BE të jepte më shumë para. Në takimet e mëparshme që u bënë në Shkup e Tiranë në 2019, ka qenë Metju Palmer, njeriu më i rëndësishëm i Departamentit të Shtetit për Ballkanin. Minishengeni ka qenë kësisoj iniciativë e mbrojtur nga amerikanët.

Çfarë po ndodh tani?

Në Ballkan Open nuk kishte përfaqësues amerikan, as europian, që të jemi të sinqertë, por ama kishte në Prespë. Pse nuk kishte përfaqësues amerikan? Jam i paqartë nëse administrata e re do të ketë qasje të njëjtë si e Trump. Biden e respekton dhe e njeh marrëveshjen e Uashingtonit, megjithatë. Kurse Kosova nëpërmjet Kurtit e cilëson atë marrëveshje,  si mëngjes suedez: merr çfarë të marrësh. Është gabim i madh i Kosovës.

Pse? Sepse, amerikanët, administrata e dikurshme Trump, jashtë narrativave, në foltoret tona shqiptare e kombëtare, duke parë që po dilte jashtë ndikimit në Ballkan, veçanërisht në Serbi, e përdori MiniShengenin si instrument të kufizimit të ndikimit kinez dhe rus. 12 miliardë dollarë u destinuan për Ballkanin, duke krijuar një bankë për këto fondet me seli në Beograd, si kontribut të katër institucioneve amerikane. Kjo marrëveshje, që s’do të ishte e vetmja, parashikonte diversifikim të furnizimeve me gaz(kufizim i ndikimit rus), ndërprerje e projektit të 5G (kufizim i ndikimit kinez), dhe ndërlidhjen e serbëve me shqiptarët, në projektin e një autostrade të përbashkët. projekt infrastrukturor, ku fut dhe Shqipërinë.

Marrëveshja e Uashingtonit ishte aq e detajuar sa kishte një klauzolë dhe për të zhdukurit, apo refugjatët dhe të shpërngulurit në dy vende; Serbët që ikën nga Kosova dhe shqiptarët e Serbisë, 3 komunave që janë vendosur në Kosovë. Paradoksale është se këta të shpërngulur janë me status refugjati në Serbi,, kurse në Kosovë jo! Kosova nuk i ka dhënë status, shqiptarëve të Serbisë, duke u krijuar probleme në martesa, biznese, varrime, etj.

Marrëveshja e Uashingtonin është instrument i të drejtës ndërkombëtare, dokument ekzistues. Është bashkim zotimesh, të Serbisë e Kosovës para Presidentit Trump, me firma të tre palëve. Por nuk kemi një dokument të vetëm sepse Serbia nuk donte të pranonte njohjen e Kosovës nga Izraeli.

Në këtë marrëveshje, për shembull, u vendos moratorium 1-vjeçar që Kosova mos aplikonte në organizata ndërkombëtare ndërsa Serbia do ndalte fushatën e mos njohjeve. Me gjasë Serbia e kërkoi si kohë dhe SHBA-të e gjendura në presionin e zgjedhjeve, ja dha këtë kohë asaj, ndonëse pika 10 që parashikonte njohjen reciproke ishte në tavolinë. Ky moratorium ishte logjik pjesërisht: gjatë këtij viti edhe për shkak të pandemisë, nuk u zhvillua asnjë organizim ndërkombëtar. Moratoriumi me gjasë nënkuptonte se sot pas një viti, palët do të takoheshin sërish. Sot Kosova duhet t’i thotë SHBA pikërisht duke u mbështetur në atë pikë të marrëveshjes: a do takohemi me Serbinë? A do të më ndihmoni në anëtarësim në organizata ndërkombëtare? Sepse përtej kritikave kosovare për këtë pikë, as që mund të mendohet se Kosova mund të anëtarësohet në ndonjë organizatë pa ndihmën e SHBA-ve. Mirpo mjerisht sot Kosova sot thotë nuk e respekton marrëveshjen e Uashingtonit.

Do doja të shtoja diçka për të zhbërë narrativën e Ramës dhe Kurtit, sepse e kam dëgjuar Berishën në një emision të televizioneve kosovare ku ishte shumë i saktë. Si PD, apo unë- tha ai, e mbështesim bashkëpunimin rajonal, por a ka Shqipëria studim për kuotat e mallrave nga Serbia? Sepse rrezikojmë të kontrollohemi nga Serbia- tha Berisha. Po, Shqipëria duhet të ketë studime të tilla. Mirpo e vërteta është se  Serbia, apo Jugosllavia e ka kontrolluar dhe më parë Ballkanin, edhe sot, ekonominë e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malin e  Zi padiskutim. CEFTA nuk e bën dot rregullimin e marrëdhënieve në Ballkan, dhe Kurti ka të drejtë kur propozon mekanizëm të ri. Kurti duhet të kërkojë kuota., mirpo kjo mund të bëhet në tavolinë. Edhe në BE ka kuota., mirpo tavolina ishte vendi ku Luksemburgu mbrojti të drejtat e veta përballë Gjermanisë së madhe.

Në analizën e një iniciative si kjo, do preferoja mos merresha me qëllimet sepse do të ishim viktima të propagandës. A ishte një iniciativë nga poshtë? Duhet të ishte. Unë mendoj që duhet të ishte, ose që këto zëra, zërat e subjekteve ekonomike duhet të ishin të fuqishme, ta mbronin ose kritikonin. Ato duhet të flisnin, por nuk flasin. Duan të ndikojnë në mënyrë okulte dhe jo nëpërmjet zërave publikë, lobizmit publik, por preferojnë të lëvizin në mënyrë okulte.

Unë nuk e diskutoj që në një shikim të parë Serbia e dominon ekonomikisht që tani Ballkanin: mirpo nëse ka ndonjë mënyrë për ta kufizuar këtë ndikim, është duke bashkëpunuar me Shqipërinë. Kurti e ka thënë, se duhet bashkëpunim me Shqipërinë, mirpo si?

Ju më pyetët pse nuk u bë asgjë për heqjen e barrierave me Kosovën. Rama ka thënë, Shqipëria donte t’i hiqte këto barriera, por Serbia u ankua në BE. Kurse kur ne propozuam MiniShengenin, Serbia ishte dakord të hiqeshin barrierat për të gjitha vendet. Heqja e barrierave është konkurrencë, shumë kompani të vogla mund të falimentojnë, mirpo këto barriera duhet të hiqen dikur. Nëse nuk përballon dot konkurrencën e Serbisë, si do e përballosh atë të BE?.

Arsyeja pse Kurti apo Kosova nuk mori pjesë është se Kurti do të portretizojë Vuçiçin si pasardhësin e Millosheviç, pjesëmarrës në gjenocid, dhe kjo do ta rriste sipas tij pozitën negociale në dialog, diçka që ha diskutim. Ndaj atij i duhen bërë disa pyetje.

A ishte pavarësia e Kosovës me ndihmën e perëndimit që në fillim e çliroi dhe pastaj e pavarësoi, si shpagim për genocidin? Unë besoj se po, sepse Perëndimi flet me këtë gjuë ndaj Serbisë: ne e shkelëm të drejtën ndërkombëtare duke ju bombarduar dhe duke shkëputur Kosovën sepse ju me genocid, e humbët të drejtën për të qeverisur mbi shqiptarët. Dhe historia moderne e Kosovës fillon me çlirimin. Kurti nuk ishte asokohe protagonist, por BE  pasi e çliroi, thotë se tani duhet të ecni me këmbët tuaja, pasi të merreni vesh me Serbinë, shkoni dhe anëtarësohuni në OKB. E në këtë kahje, unë nuk shoh asnjë instrument tjetër, veç marrëveshjes së Uashingtonit që është arma më e fortë që ka Kosova tani. BE, Makroni, Merkeli dështuan, ashtu si po dështon dhe Borell.

Sa i takon inisiativave rajonale Rama dhe Kurti duhet të kalojnë më shumë me njëri-tjetrin. Unë besoj se Kosova kishte ftesë në Shkup, por e refuzoi. Mali i Zi thotë se s’ka pse të afrohet shumë me këtë nismë se është vendi ballkanik më afër BE se të tjerat, kurse Bosnja ka mosmarrëveshje mes tre etnive apo tre udhëheqësve të tyre në lidhje me inisiativa të ngjashme.

Në një tryezë si kjo, Kosova duhet të përfshihet me Shqipërinë, plus Zaev që është i ndikuar nga shqiptarët, përballë Vuçiç dhe barazia në tavolinë është e qartë. Sot duhet një konferencë publike ose jopublike e gjatë, mes Ramës e Kurtit. Rama ka kaluar shumë kohë me Thaçin, duhet të flasë edhe me Kurtin që shqiptarët mos përçahen përballë Vuçiçit. Unë e besoj që Vuçiç  del i fituar nga tryeza siç thotë Kurti, por ama a do dilte nëse dhe Kosova do ishte pjesë? Jo. Dy vëllezërit duhet të jenë bashkë përballë fqinjit. Duhet bashkëpunim mes të dyve, mes këtyre dy njerëzve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb