Në konferencën e përbashkët me gazetarët në Malin e Zi, kryeministri Edi Rama tha se në nismën e Ballkanit të Hapur nuk ka “as kinezë dhe as rusë”.

Sipas tij, është nismë për të jetësuar parimet dhe objektivat e procesit të Berlinit, duke shtuar se kush do të shohë kinezë apo rusë në të, “nuk ka asnjë problem”.

“Mos kërkoni asnjë lloj dore të fshehtë në nismën e Ballkanit të Hapur, mos shihni as kinë, as rusë, madje as gjermanë. Është nismë e jona për të jetësuar parimet dhe objektivat e procesit të Berlinit. Kur ishim në samitin e Berlinit, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, rifirmosën gjëra që kishin firmosur më parë. Nuk pashë asnjë marrëveshje që nuk kishim firmosur më parë në Ballkanin e Hapur.

Është thjeshtë kalimi nga një ditë ku vjen kancelari dhe bëhet një diskutim mbi ku jemi dhe ku duam të shkojmë. Kush do të shohë kinezë dhe rusë, është i lirë  t’i shohë, nuk ka asnjë problem”, tha Rama.

Rama ka folur po ashtu edhe për çështjen e hidrocentraleve në vendin tonë, duke shtuar se ka qenë qeveria e tij që ka ngritur çështjen e mbrojtjes së Vjosës.

“Ne jemi gjendur para faktit të kryer dhe kemi bllokuar të tretin, por nuk e di sa ju ngushëlloj, kemi trashëguar të njëjtën situatë, duke filluar nga lumi i Valbonës. Mundëm të bllokojmë të gjithë të tjerët por jo atë që ishte gati në përfundim. Duke vazhduar me Vjosën. Ndërkohë e dini sa shumë zhurmë është bërë për këtë. Ndërkohë që ne jemi e para qeveri që ngritëm çështjen e mbrojtjes së Vjosës dhe nuk pritëm të vini nga europa dhe të na thonin  ‘është lumi i fundit i egër në Europë’.

Po pse mbeti ky i fundit i egër i Europës? Se ata i zbutën të tyret dhe i kthyen nga tigra në mace shpie, ne na mbeti tigri në derë dhe ne kemi marrë masa që Vjosa të shpallet park kombëtar. Këto hidrocentralet, dy i kemi peshqesh nga e shkuara, por përballohen me Ballkan të Hapur. Kemi ngritur dhe grupet e punës, s’dua të ndërhyjë, se thonë nëse nuk do të zgjidhësh një problem, ngre një grup pune”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb