Nga: SHABAN MURATi*
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, priti tri ditë në Moskë që ta takonte presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, sepse një takim të tillë rusët nuk e kishin futur në protokollin zyrtar. Vuçiçi e meritoi takimin me carin e madh të Rusisë në 29 tetor, jo pas bisedimeve me Kryeministrin e Rusisë në 27 tetor, por pas pranimit të kontratës së madhe ushtarake të diskutuar në bisedimet paralele të Zëvendëskryeministrit rus, Dmitri Rogozin, që është edhe kryetar i kolegjit të komisionit industrialo-ushtarak rus, me Zëvendëskryeministrin e Serbisë të ngarkuar me bashkëpunimin ushtarak, Ivica Daçiç. Bisedimet sekrete dhe të mbyllura ushtarake midis dy zëvendëskryeministrave, përmbanin esencën e gjithë vizitës së kryeministrit serb në Moskë, të cilën gazeta ruse “Vzgljad” e përkufizoi “një sensacion”.
Vërtet duhet konsideruar sensacion, sepse kontrata e madhe e pashoqe ushtarake e Rusisë me Serbinë përfshin krijimin në territorin serb të një mburoje antiraketore ruse. “Çështja mbi krijimin e mburojës raketore të një tipi të ri është bomba e vërtetë (e vizitës), e aftë të shpërthejë opinionin publik në Republikën e Serbisë. Organizimi i mburojës antiraketë është një kontratë unikale, e krahasueshme vetëm me shitjen e raketave S-300 Iranit”, shkruante në 30 tetor, gazeta ruse “Vzgljad”. Është një zhvillim alarmant i bashkëpunimit ushtarak ruso-serb, i cili duhet të trondisë qeveritë dhe zyrat shtetërore nëpër shtetet e Ballkanit, sepse ofensiva e re e armatimeve, që Rusia do t’i furnizojë Serbisë, përfshin jo vetëm sisteme raketash BUK, nga ato me të cilat separatistët prorusë në Ukrainën Lindore rrëzuan avionin civil malajzian, jo vetëm avionë gjuajtës të sofistikuar dhe helikopterë sulmues, por në radhë të parë sistemin e mburojës raketore të Rusisë në territorin e Serbisë. Shkurtimisht, jemi para perspektivës së ardhjes së raketave ruse në Ballkan.
Ky është një zhvillim tepër shqetësues, si në planin ushtarak dhe politik, ashtu dhe në planin strategjik. Rusia ndërmerr një shkallëzim agresiv të pranisë së saj ushtarake në Serbi dhe në Ballkan. Është një sukses i madh i strategjisë ushtarake dhe globale ruse, e cila realizon kështu avancimin e shpejtë dhe për herë të parë vendosjen e një sistemi të mburojës raketore jashtë kufijve të Rusisë, në Ballkan. Kjo, me sa duket, ishte edhe arsyeja e kënaqësisë publike të kryeministrit të Rusisë, i cili u entuziazmua aq shumë, saqë e cilësoi vizitën e kryeministrit serb në Moskë si “një vizitë e madhe”, kualifikim që zakonisht ua japin vizitave shtetet e vogla për shtetet e mëdha dhe asnjëherë shtetet e mëdha për shtetet e vogla.
Në fakt është vërtet ngjarje e madhe për Rusinë, e cila krijon një sfidë të re ushtarake dhe strategjike me mburojën raketore në Serbi, shtetin që kufizohet nga katër shtete të NATO-s dhe nga tri shtete që duan të anëtarësohen në NATO. Me të drejtë duhet të shtrohet pyetja se, për kë dhe kundër kujt Rusia po e armatos Serbinë me kaq ethe dhe me kualitete armatimesh ofensive. Është e paqartë se çfarë burimesh kërcënimi sheh ndaj saj qeveria e Serbisë, e cila vrapon drejt Moskës dhe nënshkruan një kontratë të habitshme ushtarake për blerjen e armatimeve ruse me vlerë 5 miliardë euro, shifër e papërballueshme nga çdo vend në rajon, përfshirë Serbinë, e cila do t’i paguajë armatimet me kredi ruse. Kjo spirale e re marramendëse e garës së armatimeve, që po nis Serbia, duhet parë në dy plane: në planin e raporteve të Serbisë me rajonin dhe në planin e raporteve të Rusisë me rajonin. Doktrina serbe e sigurisë kombëtare identifikon, të paktën publikisht, dy kërcënime, të cilat sipas saj janë kroatët dhe shqiptarët. Është një përcaktim i gabuar dhe jorealist, i cili barazon pengesat e hegjemonisë serbe në rajon me kërcënimet për sigurinë serbe. Serbia, e cila aspiron për lidership apo për hegjemoni në rajon, e ka të qartë se nuk mund t’i realizojë kurrë këto ambicie, sepse as kroatët dhe as shqiptarët nuk do të pranojnë të udhëhiqen nga Serbia. Ndaj ajo po armatoset në mënyrë të ethshme për të ruajtur dhe rritur sa më shumë në favor të saj dhe në disfavor të shteteve anëtare të NATO-s ekuilibrin e forcave në rajon, pikësynim që e mbështet fort Rusia. As kroatët dhe as shqiptarët nuk e kërcënojnë Serbinë, dhe historia provon se ka qenë Serbia ajo që ka kërcënuar vazhdimisht ekzistencën e kombit kroat dhe të kombit shqiptar. Orvatja e kryeministrit Vuçiç për të gjetur justifikim tek armatosja, që NATO dhe SHBA sipas tij po i bëjnë Kroacisë, është një alibi e paqëndrueshme për të maskuar aleancën ushtarake me Rusinë, aleancë që i duket udhëheqjes politike serbe si rruga e realizimit të ambicieve ballkanike. Ndaj në Beograd u ngrit një valë euforie nacionaliste për vizitën e Vuçiçit ne Moskë. Siç shkruan analisti serb Vladimir Vuçetiç në gazetën “Politika” të 30 tetorit: “Titujt optimistë, të cilët këto ditë mund të vihen re në gazetat e Beogradit, sipas të cilëve Serbia me ndihmën e armëve ruse do të forcojë pozitën e saj, nuk janë të pasaktë, por harrohet se me këtë forcim do të forcohej si kundërpërgjigje edhe ambicia e fqinjëve, të udhëhequr nga SHBA, që këtë fuqi ta neutralizojnë”.
Për sa u përket raporteve të Rusisë me rajonin, kemi një lidhje me vargoj të rinj ushtarakë të Serbisë nga Moska dhe përdorim i Serbisë për një shantazh ushtarak rus ndaj vendeve të rajonit. Pas hapjes së një baze ushtarake ruse në Nish, pas stërvitjeve të përbashkëta në Serbi të forcave ushtarake serbe me forcat desantuese ruse dhe pas pranimit të Serbisë si vëzhguese në organizatën ushtarake CSTO, të drejtuar nga Moska, vendosja e një mburoje raketore ruse është gozhda e fundit në arkivolin e neutralitetit zyrtar të Serbisë. Serbia shndërrohet në një aleat ushtarak të Rusisë kundër NATO-s dhe kundër vendeve të rajonit. Armatosja e madhe e Serbisë nga Rusia dhe sidomos vendosja e një mburoje raketore ruse, nuk duhet kuptuar vetëm si një platformë e kërcënimit serb në drejtim të rajonit. Ajo duhet parë më gjerë, si pjesë e planeve ruse për ndërhyrje më aktive në punët e brendshme të Ballkanit. Jo rastësisht ajo vjen pas shkallëzimit të ndërhyrjes ushtarake ruse në Lindjen e Mesme dhe dislokimit të forcave ruse në Siri dhe pas një vale në rritje në disa shtete ballkanike të tensioneve të brendshme, të sponsorizuara nga shërbimet e posaçme ruse. Tani Rusia pritet të dislokohet edhe në territorin e Serbisë, sepse sistemet e raketave ruse apo të mburojës raketore ruse do të sjellin praninë dhe njësitë e këshilltarëve ushtarakë apo të forcave trajnuese dhe mirëmbajtëse të baterive të raketave në Serbi.
Serbia po merr përsipër një rol ushtarak, që aspiron Ballkanin dhe që shkon përtej Ballkanit. Sepse vendosja e mburojës raketore ruse në Serbi përbën një kërcënim të drejtpërdrejtë, që Rusia krijon në territorin serb kundër gjithë shteteve anëtare të NATO-s, që ndodhen në rajon dhe jashtë tij. Ironia e politikës ruse është se Moska ka zhvilluar dhe zhvillon një fushatë frenetike diplomatike dhe propagandistike kundër vendosjes së mburojës raketore të NATO-s në shtete anëtare të saj si Çekia apo Polonia, të cilat nuk janë asnjëra në kufi me Rusinë, dhe Kremlini e cilëson rrezik për sigurinë e tij. Po tani që Rusia pritet të dislokojë mburojën e saj raketore në një shtet, që nuk është as anëtar i ndonjë organizate ushtarake apo politike me Rusinë dhe as ka qenë republikë e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe që ndodhet në kufi me katër shtete të NATO-s, është lehtë të kuptohet shkalla e rrezikut nga mburoja raketore ruse në Serbi, e cila, siç shkruan shtypi rus, “po kthehet në një bastion ushtarak rus në mes të Ballkanit”.
Është një zhvillim negativ, që nxjerr dhe duhet të nxjerrë disa mësime urgjente për shtetet e Ballkanit, qofshin ose jo anëtare të NATO-s dhe të BE. Së pari, Brukseli euroatlantik nuk mund të kundrojë me serenitet vendosjen e një sistemi të mburojës raketore ruse në rajonin e Ballkanit, ku të gjitha shtetet pa përjashtim janë anëtare ose aspirojnë të hyjnë në BE. Serbia është shtet kandidat, që ka hapur bisedimet e pranimit dhe po i bën njërën sfidë pas tjetrës Brukselit, sikur BE ka nevojë për Serbinë dhe jo Serbia për BE. Logjika këshillon që mburoja raketore ruse në Serbi duhet të jetë trau, që Serbia nuk mund ta kalojë për anëtarësim. Së dyti, NATO duhet të reagojë me vendosmëri ndaj vendosjes së mburojës raketore ruse në Serbi, si një provokim për konflikt, që u bëhet vendeve të rajonit dhe NATO-s.
Së treti, shtetet e Ballkanit nuk mund të qëndrojnë të pashqetësuara përballë kësaj sfide dhe kërcënimi të ri ushtarak, që po konturohet në territorin e Serbisë. Kroacia menjëherë e ndërmori një reagim të shpejtë nëpërmjet ministrit të saj të Brendshëm, i cili i dërgoi Beogradit mesazhin se askush nuk mund të guxojë të sulmojë Kroacinë, që është anëtare e NATO-s. Së katërti, këto pritshmëri negative nuk mund të mos kërkojnë reflektime nga qeveritë dhe diplomacitë e shteteve të Ballkanit lidhur me aleancën e re ushtarake antiatlantike dhe me agresivitetin në rritje të politikës së Serbisë. Aleanca e ngushtë ushtarake me Rusinë dhe gatishmëria e qeverisë aktuale serbe për të lejuar vendosjen e një sistemi të raketave ruse në Serbi, nuk mund të mos ngjallë dyshime të bazuara. Ajo e komprometon gjithë retorikën pseudointegruese ballkanike dhe europiane, që profeson qeveria serbe nëpër forumet ndërkombëtare. Përballë këtij realiteti plot të panjohurash kërcënuese, nuk duket se kanë vlerë premtimet pajtuese dhe as projektet fantazmagorike, që Beogradi po shpërndan në katër horizontet e Ballkanit. Përballë realiteteve me pesë miliardë euro armatime dhe me mburojë raketore ruse në Serbi, nuk mund të ketë më “ballkanikë të vetëkënaqur”, që mbyllin sytë me ninullat serbe, të cilat i përhapin sirenat ballkanike të institucioneve të specializuara serbe, që po sponsorizojnë në shtetet e rajonin tezat idiote se Serbia nuk përbën më kërcënim. Ballkani me ëndrra dhe Serbia me raketa ruse.
Ballkani ka nevojë të zgjohet përballë reve të zeza ruse, që po vijnë drejt hapësirave ballkanike, dhe nuk duhet të nanuritet me profkat e porositura të kozmopolitizmit rural ballkanik. Kështu u hutuan dhe nuk besuan se do të ndodhte aneksimi i Krimesë nga forcat ushtarake ruse, dhe kështu nuk besuan as për ndërhyrje ushtarake ruse në Siri. Mundësia e vendosjes së mburojës raketore ruse në Serbi është një kambanë alarmi për vendet e rajonit, të cilat duhet të dënojnë me vendosmëri këtë hap të rrezikshëm të Serbisë dhe të Rusisë dhe, në të njëjtën kohë, t’i drejtohen NATO-s për marrjen e masave urgjente adekuate në mbrojtje të sovranitetit dhe të lirisë, të paqes dhe të stabilitetit në rajon.
Një sensibilitet të veçantë duhet të tregojë Shqipëria. Që në vitin 2007, në një analizë të botuar në këtë gazetë për planet ruse të mburojës raketore në Serbi, kam shkruar rreth nevojës shqiptare për sensibilitet: “Pse të mos kërkojë edhe Shqipëria të përfshihet në mburojën amerikane dhe atlantike, kur sheh se Serbia përgatitet dhe është e gatshme të vendosë raketat ruse në Serbi? Sepse, nëse ka shtet dhe komb, që duhet ta konsiderojë vendosjen e raketave ruse si një sinjal të një kërcënimi real, është pikërisht Shqipëria dhe kombi shqiptar”. (Libri “Rusia Ballkanike”, Tiranë, 2014, fq.27) Shqipëria në atë kohë nuk ishte në NATO, por tani që është anëtare e saj, duhet ta ketë guximin më të madh.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: