Nga: NDRIÇIM MEHMETI *

 

Në 100-vjetorin e shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, që nisi me atentatin e Sarajevës, shumëkush ka menduar se Ballkani ka ndryshuar 11 vjet më parë në atë që u quajt “Axhenda e Selanikut”, pati edhe një premtim mjaft të guximshëm të ish-kryeministrit Jorgo Papandreu, se “Ballkani Perëndimor do të ishte integruar në Bashkimin Evropian në 2014”. Tani, në fillim të 2015 kemi kuptuar se për Ballkanin kishte më shumë shpresë e më pak besim. Nuk e teprojmë nëse themi se ende Ballkani Perëndimor gjendet në udhëkryq. Greqia, Shqipëria, Kosova, Serbia e Maqedonia vuajnë nga një sërë problemesh, ku më të rëndësishmet kanë të bëjnë me funksionimin e demokracisë. Pavarësisht përpjekjeve të mëdha, buzëqeshjeve dhe shtrëngimeve të duarve në kancelaritë evropiane, nga Athina e deri në Beograd ka shumë për të bërë, që populli të prekë atë që quhet demokraci funksionale dhe e painfektuar në atë masë, që të humbë besimin e opinionit. Prej disa vitesh Athina zyrtare kërcënohet prej ekstremit të majtë “Syriza” dhe atij të djathtë “Agimi i Artë”. Të dyja këto parti e veçanërisht “Agimi i Artë”, për shkak të metodave të përdoruara, ka vënë në pikëpyetje të madhe vendin që deri më sot vazhdon të mburret se ka mësuar botën se ç’është demokracia dhe si funksionon ajo. Greqia është kaq e brishtë politikisht saqë zgjedhja e një presidenti është kthyer një çështje që më parë nuk ka ekzistuar. Pra, një procedurë që dikur ishte rutinë, sot është kthyer në një problem shumë të mprehtë politik, saqë detyroi kandidatin Dimas të deklarojë hapur se nuk ka ndërmend të marrë postin e presidentit me votat e një partie që nuk respekton demokracinë në vend, si “Agimi i Artë”.
Nga ana tjetër, Serbia në muajt e fundit rishfaqi edhe një herë në arenën politike të saj fundin e viteve ’80-të dhe fillimin e viteve ’90-të të shekullit të kaluar. Reagimet e qeverisë serbe për ndeshjen e futbollit -Serbi-Shqipëri, sulmi mbi pronat e shqiptarëve në Serbi, nervoziteti i kryeministrit Vuçiç në konferencën e shtypit me kryeministrin e Shqipërisë dhanë panoramën e rikthimit të këtij vendi në pikën zero. Në fakt, pavarësisht dëshirës për të mbyllur hendekun e krijuar mes dy vendeve, Shqipërisë dhe Serbisë, më shumë është hedhur kashtë se janë vënë gur e thasë me rërë, për ta mbushur për një të ardhme më të sigurt. Para, pas ndeshjes dhe gjatë vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Beograd u bënë përpjekje për të pasur sa më shumë buzëqeshje, shtrëngim duarsh e arritje marrëveshjesh. Por edhe njëherë ngriti krye ndjenja për të marrë sa më shumë pëlqime nga bashkëkombësit, sesa meraku për të ardhmen evropiane. Deklaratave të Ramës për Kosovën iu përgjigj nervozizmi i papërmbajtur i Vuçiç, i simbolizuar me përsëritjen disa herë të fjalës që njohim më shumë prej asaj kohe; provokacja. Ndërkaq, Perëndimi e gjeti edhe njëherë zgjidhjen sipas modelit ballkanik: marrëveshjet mund të shkruhen edhe duke ngrënë e prirë, pasi pija i ul gjakrat, duke krijuar një atmosferë më pajtuese. Ndërsa të gjitha vendet; Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Kosova dhe Mali i Zi kanë si synim politik të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian, duket se vetëm Mali i Zi është i vetmi vend sllav që për momentin paraqet një paqe më të qëndrueshme. Maqedonia po përpëlitet mes shpërthimeve nacionaliste dhe tendencës për t’i mbajtur ato nën kontroll. Në kushtet e një lufte të paprinciptë mes partive shqiptare, politika maqedonase përfiton duke mos marrë seriozisht angazhimet e paplotësuara prej marrëveshjes së Ohrit. Po aq shqetësuese janë rritja e urrejtjes mes palëve, që ka kulmuar me operacionin policor “Monstra”, si dhe veprime rrugaçërie e vandalizmi ndaj shqiptarëve. E sikur të mos mjaftonin të gjitha këto, qartazi ekonomia dhe mirëqenia e vendeve të Ballkanit Perëndimor është në gjendje kritike. Edhe pse Greqia ka shprehur vetëbesim në daljen nga kriza dhe dhënien e shenjave pozitive drejt përmirësimit, besimi në popull, por edhe në Bashkimin Evropian, ende nuk ka lënë asnjë gjurmë. Po kështu vendet e tjera vuajnë nga një sërë problematikash, ku papunësia dhe rënia e fuqisë blerëse janë më të rëndësishmet. Rënia ekonomike i ka hapur rrugë rënies së besimit te partitë tradicionale në Greqi, por jo në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e Shqipëri. Në Greqi, PASOK-u si një nga partitë më tradicionale, ka humbur shumë terren, duke i lënë fushë të hapur “Agimit të Artë” dhe “SYRIZA”-s. Ndërkaq, në Serbi gjakrat nacionaliste dhe kthimi i syve te partitë me theks ultranacionalist u shfaq gjatë ndeshjes me Shqipërinë, për të arritur kulmin me rikthimin e Voisllav Sheshel në Beograd. Politikani ultranacionalist avancoi shumë më tepër se Nikoliç e Vuçiç, duke justifikuar vrasjen e Xhinxhiç dhe duke paralajmëruar marrjen e Kosovës me forcën e armëve. Bashkimi Evropian, që shpresonte aq shumë prej Serbisë, nuk e besonte, ndonëse duhet ta ketë menduar se ishte e vështirë që në këtë vend, proevropianizmi të fitonte terren kaq shpejt. Pritja e carit të Rusisë, Putin, ishte një tjerr tregues, sesa Serbia ishte së paku e dyzuar ndaj BE. Megjithatë, edhe misioni i vetëcaktuar prej kryeministrit Rama për evropianizimin e Serbisë ishte si një flakë kashte. Mburrjet për hapjen e një perspektive të madhe mes dy vendeve përfunduan në deklarata të njëanshme të Ramës, “për forcimin e lidhjeve ekonomike”, “mundësisë që armiqësinë ta kthejmë në energji për bashkëpunim”. Deri tani këtyre deklaratave, Serbia i është përgjigjur me një indiferentizëm të qartë. Ndërkaq, kryeministri i Shqipërisë dhe maxhoranca që ai udhëheq kujdesen ta gjejnë suksesin më shumë jashtë vendit se brenda tij. Kjo mbase kënaq sipas tyre më shimë shpresat e Bashkimit Evropian, që “djemtë e këqij”, të Ballkanit të heqin dorë nga veset e tyre shekullore dhe të veshin petkun evropian. Mbase do të ishte më efikase, që të gjithë në vendin e tyre të fillonin të bënin mirë punët e tyre, të lëna pas dore apo të pafilluara fare. A do të ishte më në të mirën e Bashkimit Evropian që politika kosovare, krahas dialogut shumë të nevojshëm me Serbinë të merrej me luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, papunësisë, nxitjes së investimeve të huaja e me radhë. A do të ishte mirë që në Shqipëri, kryeministri të mos tallej e ironizonte opozitën, por të ulej e të gjente gjuhën e përbashkët me ta, pa pasur nevojën e të dërguarve të Evropës. A nuk është detyrim i çdo qeverie që e njeh veten për demokratike, zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i të gjitha gjykatave të tjera? A do të ishte më mirë, që përpara se të dëgjonte zërin e të huajve, kryeministri i Shqipërisë dhe ministrat e tij të dëgjonin më parë zërin e popullit që qeverisin? A do të ishte më mirë që krahas preokupimit për gjetjen e një kompromisi mes Maqedonisë e Greqisë për emrin, të gjenden edhe rrugët e zgjerimit të të drejtave të shqiptarëve, në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian?
Duke thënë se vitin tjetër do të bëhet më mirë, vështirë se urimi kthehet në realitet. Qartësisht, Ballkani në fundin e vitit 2014 vuan nga të njëjtat sëmundje të vitit 1914: mosbesim, përpjekjen për të fituar terren politik e pse jo territorial të shteteve të ashtuquajtura të mëdha, në kurriz të shteteve të tjera, varësia klienteliste nga Rusia dhe së fundi dëshira e paktë për të bashkëpunuar mes tyre. Për fatin e mirë, në fund të 2014, Evropa është më e bashkuar dhe mundësitë për të futur në binarët e zhvillimit, “mistrecët e fundit ballkanik” janë shumë të mëdha. A do të mjaftojë vetëm kaq? Koha do ta tregojë. Deri më tani, me shumë trishtim e dhimbje duhet të pranojmë se te vendet e Ballkanit u varën shumë shpresa e u përfitua shumë pak besim.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: