TIRANE – “Balloja e Diplomës” është baleti me një akt që zgjat rreth 50 minuta, i cili është një përmbledhje e disa pjesëve muzikore të autorit të njohur, Johan Strauss, ku valse, marshe, mazurka, galop etj, krijojnë tërësinë e një vepre që do të shfaqet nesër në mbrëmje për publikun, ora 19:00 në skenën e TKOB.
Në koreografinë e realizuar me mjeshtëri nga Ilir Kerni (sipas David Lichine), skenografinë e Tonin Prendt, kostumet e Elva Ballës dhe balet maester, Alisa Gjonit, solistët dhe balerinët e Teatrit të Operas dhe Baletit, rikthejnë në skenë shfaqjen, e cila zhvillohet në një konvikt nxënësesh, vajzash të reja, ku organizohet Ballo e Diplomës dhe me këtë rast ftohen të festojnë në ditën e diplomimit të tyre edhe disa kadetë të rinj të një garnizoni – shkolle ushtarake aty pranë.
Ajo që i fton, por edhe që i mbikëqyr njëkohësisht, është Guvernantja, ose drejtoresha e vajzave. Guvernantja dhe vajzat e presin këtë moment me shumë emocion dhe së bashku përgatisin një program që do t’i bëjë të dy palët të mbeten të kënaqur.
Megjithëse në fillim të dyja palët janë të ndrojtura karshi njëra-tjetrës, dalëngadalë mes të rinjve fillojnë të lindin pëlqimet dhe simpatitë e para. Përjetimit të ndjenjave nuk u shpëton as Guvernantja dhe Gjenerali, një burrë në moshë që udhëheq kadetët e rinj.
Festës i vjen fundi dhe kadetëve u duhet të kthehen në garnizon. Vajzave dhe drejtoreshës nuk u mbetet gjë tjetër veçse të shpresojnë që një gjë e tillë do të ndodh sërish, po kaq bukur dhe me ndjenjë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb