BALLSH- Një gjimnazist është plagosur me thikë ditën e sotme nga një bashkëmoshatar në ambientet e shkollës “Dervish Hekali”, në qytetin e Ballshit. Sipas burimeve zyrtare i plagosur ka mbetur një nxënës 16-vjeçar, ndërsa autori dyshohet të jetë R. Xhemali, 17 vjeç.

Mësohet se autori i plagosjes ishte përjashtuar nga shkolla, ndërsa nuk dihet si ka mundur të hyjë sërish brenda ambienteve të saj. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit të Mallakastrës të cilat janë vënë në ndjekje të autorit, të cilin kanë mundur ta vënë në pranga brenda një kohe të shkurtër. Policia pohon gjithashtu se si autori ashtu edhe 16-vjeçari i plagosur ishin përjashtuar nga shkolla.

Paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen është bërë një sherr banal midis adoleshentëve por ende nuk dihet motivi. Dy adoleshentët janë konfliktuar fillimisht me fjalë e më pas sherri ka degjeneruar dhe 17-vjeçari ka përdorur thikën.

Ndërkohë prindërit e 16-vjeçarit të plagosur, kanë deklaruar se ngjarje të tilla në këtë shkollë kanë ndodhur edhe herë të tjera dhe kanë kritikuar drejtuesit për mungesën e sigurisë. “Nuk është hera e parë që ndodhin ngjarje të tilla. Në këtë shkollë nuk ka siguri, mund të hyjë e të dalë kushdo. Një ditë më parë kërkova shpërnguljen e djalit nga kjo shkollë, pikërisht për këto arsye”, ka thënë nëna e nxënësit të plagosur.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: