Brenda vitit 2021, objektivi i qeverisë është të ketë 200 zona rurale dhe 55 zona urbane të furnizuara me ujë të pijshëm 24 orë. Kështu deklaroi sot ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një interpelance me qytetarët e Kukësit të interesuar mbi zgjidhjen e problematikës për ujësjellësin. Ajo theksoi se qeveria që prej vitit 2014, ka nisur një strategji investimesh për të përmirësuar sistemin e ujit të pijshëm.

Sipas saj, sot janë 200 kantiere të hapura në të gjithë Shqipërinë dhe brenda vitit 2021, objektivi i qeverisë është të ketë 200 zona rurale dhe 55 zona urbane të furnizuara me ujë të pijshëm 24 orë.

“Në vitin 2013 kur qeveria Rama nisi punën e kemi gjetur Shqipërinë vetëm me një zonë, e cila kishte uji të pijshëm 24 orë, ndërkohë e gjithë pjesa tjetër e vendit, ndodhej në një situatë, ku në rubinetat edhe në qendër të Tiranës dhe në fshatrat më të largëta, uji vinte radhë e më radhë. Këto skena nuk i përkisnin një vendi europianë në vitin 2013”,- tha Balluku.

“Duhet theksuar se furnizimi me uji të pijshëm 24 orë, dhe jo vetëm uji të pijshëm, por edhe ujë cilësor, padyshim është e ditur që është një nga pesë strategjitë bazë të kësaj qeverie. Duhet thënë dhe theksuar se në kuadër të kësaj strategjie, që prej vitit 2014 kemi nisur dhe jemi duke vijuar deri më sot, të studiojmë dhe të kemi një plan të mirëfilltë të masave dhe projekteve në të gjithë vendin”,- shtoi Balluku.

“Sot kemi 200 kantiere të hapura në të gjithë Shqipërinë dhe objektivi është të kemi uji të pijshëm 24 orë në 55 zona urbane dhe 200 zona rurale brenda vitit 2021. Për të arritur këtë, kemi ngritur nga fillimi rrjetin e shpërndarjes së ujësjellësit, apo të rehabilitojmë depot që kemi trashëguar, ku siç kemi parë, ka patur raste që ka ujësjellësa të parehabilituar që prej vitit 1980. Në këto raste na është dashur të bëjmë një investim nga e para”,- nënvizon Balluku.

Duke u fokusuar tek investimi tek ujësjellësi i Kukësit, Balluku tha se kap vlerën e 306 milionë lekëve dhe është një investim që vjen në kuadër të një plani strategjik për zhvillimin e Kukësit në prizmin e turizmit.

“Në Kukës kemi një nga veprat më të rëndësishme të investuara nga qeveria, bëhet fjalë për aeroportin e Kukësit, i cili në fillim të prillit do të jetë operacional. Ju keni shumë të drejtë, ajo është një zonë me burime të pasura ujore, me bukuri të jashtëzakonshme që shumë shpejt mund të jetë dhe për shkak të aeroportit, një zonë turistike, që nuk do ishte thjeshtë një investim për qytetarët e zonës, por dhe për ekonominë e shkallës, që të gjithë të kenë mundësi të zhvillojnë zona shërbimesh, restorante, hoteleri…etj”,- tha Balluku.

“Kemi një projekt për ju sa i takon furnizimit me ujë, ne do nisim zbatimin e këtij projekti menjëherë. Objekti është, optimizimi i furnizimit me ujë të qytetit të Kukësit, vlera e investimit është 306 milionë lekë dhe objektivi është zgjidhja përfundimtare e problematikës së furnizimit me ujë të qytetit të Kukësit”,- nënvizoi Balluku.

“Ujësjellësi është një komponent. Ne kemi vendosur ta mbulojmë këtë projekt nga buxheti i shtetit. Ne nuk i shohim projekte tona si ishuj, por janë projekte të integruara, pra ju e dini shumë mirë, që ka patur investime të mëdha, si spitali, stadiumi apo aeroporti. Sigurisht, kur ti ngre një infrastrukturë të tillë, ku i jepet Kukësit një stadium, që mund të presë edhe veprimtari edhe ndërkombëtare, që do të thotë, që qeveria ka një plan dhe beson se ky qytet mund të ketë kapacitete të tjera përpunuese edhe të vizitorëve”,- tha më tej ministrja e Infrastrukturës.

“Pra, në rast se ne besojmë që aty duhet të ketë një Aeroport Ndërkombëtarë, këtë nuk e shohim si një aeroport vetëm për banorët e Kukësit, por për të gjithë rajonin, që do t’i përgjigjet edhe kërkesës së qytetarëve të Kosovës, që janë më afër Kukësit se Prishtinës. Po ashtu dhe për Tiranën dhe qytetarë të tjerë të vendit, që mund të gjejnë Low Cost shërbimin në Kukës dhe s’kanë më nevojë të shkojnë në Shkup për këtë”,- bëri të ditur Balluku.

Sipas saj, “këto investime, kërkojnë dhe investime të tjera logjistike, rrjetet rrugore, furnizimi me energji të pa shkëputur dhe shërbimin bazë, atë të ujësjellësit, pra investimin 306 milion lekësh nga buxheti i shtetit për këtë investim kaq të rëndësishëm, ku do të akomodohen të gjitha kërkesat e qytetit dhe vizitorëve për 25 vitet e ardhshme”.

“Kjo tregon që kemi një plan afatgjatë, kemi studiuar me shumë detaje situatën aktuale të qytetit, kërkesën e qytetarëve edhe flukset e vizitorëve që do të ketë si pasojë e aeroportit, stadiumit…etj”,- tha Balluki.

Sipas ministres së Infrastrukturës, Kukësi do të kthehet në një destinacion turisik, ashtu si riviera jugore. “Në zonën tuaj po punojmë dhe për projekte të mëdha turistike. Kemi një zhvillim të madh të rivierës detare në jug, ku na lind nevoja dhe për tunelin e Llogarasë apo Aeroportin e Vlorës. Por ndërkohë kemi patur interes të madh nga investitorë të huaj për zhvillimin edhe të zonave malore, unë kam lëvizur në të gjithë Shqipërinë edhe për shkak të detyrës, por vend malor më të bukur se Shishtaveci këtu në Kukës unë nuk kam parë”,- tha Balluku.

“Ky projekti i ujësjellësit është mbështetës i të gjithë projekteve të zhvillimit që do të bëhet në zonën e Kukësit. Kështu që, ne sot po flasim për këtë projekt, për nevojën dhe të drejtën e furnizimit me 24 orë të çdo qytetari, duke i’u referuar dhe standardit të BE prej 150 litrash për frymë, por ne e shohim këtë dhe prizmin e turizmit. Shumë shpejt të gjithë Shqipëria do të shohë Kukësin të ndryshoj si nga ekonomia e shkallës, si nga infrastruktura në tërësi, si dhe nga numri vizitorëve”,- tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës konfirmoi se investimi 306 milionë lekë është vetëm për zonën e urbane të Kukësit, ndërsa ka një plan pune për të gjitha zonat rurale.

“Projektet janë të shkëputura, qyteti nga zonat rurale. Kur themi për qytetin e Kukësit, flasim për zonën urbane të Kukësit. Ne kemi plane të tjera dhe për zonat rurale për rreth Kukësit. Jemi duke folur për qytetin e Kukësit”,- shtoi ajo.

Balluku bëri të ditur se bashkë me investimin, parashikohet edhe vendosja e sahatëve.

“Gjatë çdo investimi ne vendosim dhe matësat, nuk po investojmë thjesht në rrjetin e shpërndarjes, por ne po investojmë dhe në pjesën e matjes së konsumit. Mua më rezulton se Kukësi ka qenë një nga qytetet, të cilat merren si shembull në zonën e veriut, për sa i takon korrektësisë për pagesat. Të gjitha investimet janë shërbime që duhen paguar, s’ka asnjë ndryshim uji nga energjia, uji kushton shumë më pak, por kjo s’do të thotë se s’duhet paguar. Nëse sot investon dhe ngrejmë një rrjetë të mirëfilltë, dhe e sjellim në rubinetin e shtëpisë së gjithë secilit, ky shërbim duhet paguar. Nga do dalin lekët, nëse ky shërbim nuk paguhet, nëse kemi avari në të ardhmen. Ne jemi kujdesur të mos kemi rritje të çmimit të ujit, por kemi vendosur matësa për të qenë sa më korrektë me pagesën”,- thekson Balluku.

Balluku thekson se kur të mbyllet investimi nuk do ketë më nevojë për të mbajtur depozita mbi pallate.

“Në momentin që ju keni ujë 24 orë, ne bëjmë një studim për konsumin e ujit në qytet, sa duhet të jetë volumi që vjen në depo, se sa do jetë shkarkimi në rrjet. Ky investim parashikon të keni uji të pijshëm 24 orë, 150 litra për frymë. Në momentin që ky investim do të përfundojë, është studiuar që uji, volumi i ujit që do të shpërndahet, të jetë i mjaftueshëm e s’do keni nevojë për depozita personale nëpër pallatet”,- tha ajo.

“Jemi përballur gjatë tërmetit, në zonat ku jemi hasur me problematikën e tërmetit me çështjen e depozitave. Edhe ato pallatet që janë shkatërruar plotësisht, një nga arsyet kryesore është gjithë vendosja e depozitave mbi çatitë e pallateve, pa patur studim, nëse ajo peshë mund të qëndrojë mbi ato pallate, të viteve ’70’ apo ’80. Çdo projekt që ne si ministri apo qeveri realizojmë, bëhet mbi bazë të studimeve të mirëfillta. Unë sot po flas me banorët e qytetit të Kukësit, po flas për zonën urbane. Kini parasysh që projekti vijon edhe në zonat rurale, ku në mbi 13 fshatra janë në proces dhe do të vazhdojmë dhe me zonat e tjera në të gjithë Kukësin”,- përfundoi Balluku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb