Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëkohësisht edhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaroi sot se qeveria do të vijojë mbështetjen për sektorin e transportit publik për të bërë të mundur mbajtjen të pandryshuar të çmimit të biletave për të gjithë qytetarët.

Balluku tha se mbështetja do të vijojë edhe për muajt gusht shtator, tetor.

Qeveria miratoi përmes një Akti Normativ në muajin prill të këtij viti, vendimin për kompensim të kompanive të transportit publik me 100 lekë për litër nafte, në mënyrë që të mbrohen qytetarët nga rritja e çmimit të biletës.

Balluku deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se vendimi për kompensimin e këtyre kompanive është pjesë e paketës anti-krizë të hartuar nga qeveria për të mbështetur qytetarët dhe biznesin.

“Sot ka qenë mbledhja e parë e qeverisë pas pushimeve verore dhe kemi pasur në rendin e ditës 5 pika që kanë të bëjnë me aktet e shpronësimit. Një nga aktet më të rëndësishëm është vendimi për përcaktimin e procedurave të dokumentacionit dhe të masës së kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetas, rrethqytetas dhe ndërqytetas, pjesë e paketës antikrizë.
Ne kemi përcaktuar një masë kompensimi për të gjitha shoqëritë e transportit që ofrojnë transport publik, e cila ka qenë në fuqi deri në fillim të muajit gusht.
Paketa e muajit prill është konsumuar dhe tërhequr nga kompanitë rreth 60% e fondit. Me aktin e sotëm është marrë vendimi që kjo paketë të vazhdojë dhe të qëndrojë në fuqi për muajin gusht, shtator dhe tetor”, tha Balluku.

“98 % e transportit në Shqipëri kryhet përmes rrugës dhe po mundohemi të ruajmë çmimin e biletës që mos të ketë një ndryshim”, deklaroi Balluku.

Në vendimin e muajit prill, në dispozicion të kompanive të transportit publik u vu një fond prej 500 milionë lekësh. Zv/kryeministrja Balluku informoi se deri tani është tërhequr nga kompanitë e transportit vetëm 60% e fondit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb