Rreth 40 mijë banorë në zonën e Fushë Krujës dhe fshatrat përreth përfitojnë tashmë cilësi më të mirë të furnizimit me energji elektrike në sajë të investimit që Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka realizuar për rrjetin e ri elektrik në këtë zonë. Përmes një investimi prej afro 8 milionë dollarë është bërë e mundur ndërtimi i rrjetit të ri elektrik 20 kilovolt duke transformuar rrënjësisht cilësinë e furnizimit, si dhe duke mbuluar nevojat e banorëve dhe bizneseve, të cilat ushtrojnë aktivitetin në këtë zonë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e OSHEE, Adrian Çela, deputetin Rrahman Rraja dhe kryetarin e Bashkisë së Krujës, Artur Bushi kanë inspektuar nga afër investimin e kryer dhe janë njohur me impakti që ka ai për zonën.

“Janë investuar rreth 8 milionë dollarë, ku përfshihen linja 110/20 kilovolt, ndërtimi i 120 kabinave, 40 kilometra kabull i rrjetit 20 kilovolt si dhe 130 kilometra linjë e tensionit të ulët. Faza e dytë e investimit, që ne kemi filluar do përfshijë ndërtimin e nënstacionit definitiv të Fushë-Krujës. Kemi bërë shpronësimin dhe jemi në procedurën e shpalljes së prokurimit, si dhe ndërtimi 5 fidera të tjerë”, sqaroi Administratori Çela duke theksuar se në fazën e dytë të investimit parashikohet edhe instalimi i matësave inteligjentë duke rritur në këtë mënyrë

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, tha se vetëm një vit më parë në këtë zonë cilësia e furnizimit me energji elektrike ishte një ndër shqetësimet kryesore të banorëve, teksa theksoi se investimet të cilat po realizohen janë investime të mirëstudiuara dhe që garantojnë një mbulim të gjithë zonës.

Përmirësimi i rrjetit shpërndarës, por edhe ndërhyrjet e tjera që po bëhen, nënvizoi ministrja Balluku, janë rezultat i përformancës së kompanisë, ndërsa shtoi se investimet që po bëhen për diversifikimin e burimeve të energjisë elektrike duke ndërtuar dy parqe të mëdha fotovoltaikë siç është ai i Karavastasë dhe ai i Spitallës, do të rrisin ndjeshëm kapacitetet duke reduktuar importin e energjisë.

“Unë ndodhem këtu vetëm pak ditë pasi ne kemi hapur ankandin e dytë të fotovoltaikëve, i cili ndodhet këtu afër jush në zonën e Spitallës, një zonë industriale. Ndërtimi i këtij parku energjetik 100 megavat, dhe 140 mega që po ngremë në Karavasta, e bën edhe më të lehtë uljen e sasisë së importit, duke i dhënë kështu mundësi OSHEE-së për të investuar edhe më tej në përmirësimin e rrjetit shpërndarës”, u shpreh Balluku, duke theksuar se në sajë të këtyre investimeve janë reduktuar ndjeshëm edhe ankimimet nga ana e qytetarëve.

Qarku i Durrësit, për shkak edhe të situatës së vështirë që kaloi si pasojë e tërmetit është duke marrë një vëmendje të shtuar nga Qeveria Shqiptare ku aktualisht janë duke u zbatuar një sërë projektesh duke ju përgjigjur nevojave të qytetarëve.

“Kjo nuk është e vetmja punë që po bëhet në bashkinë e Krujës. Ujësjellësi gjithashtu po ecën dhe është drejt përfundimit. Qarku i Durrësit është një kantier i madh, ndoshta kantieri më i madh që ne kemi në Republikën e Shqipërisë, pasi janë të integruara të gjitha. Është duke u punuar me ritme shumë të forta për t’ju përgjigjur të gjithë zhvillimit që po ndodh në qarkun e Durrësit. Dhe kjo është diçka shumë e mirë dhe të gjithë së bashku besoj se do ja dalim”, theksoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për kryebashkiakun Bushi e investimi në rrjetin shpërndarës të energjisë elektrike është një ndër premtimet e mbajtura dhe që është mirëpritur nga banorët, ndërsa shtoi se përfundimi projekteve, të cilat janë në zbatim e sipër do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e banorëve të kësaj bashkie.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb