Analisti Fatos Lubonja i ftuar në Log, ka komentuar reagimin e kryeministrit Edi Rama për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila rikthyeu në detyrë Erion Veliajn si kryebashkiak të Tiranës, edhe pse ndodhet nën hetim dhe në qeli prej 8 muajsh.

Lubonja tha se një opsion për largimin e Veliajt nga posti i kryebashkiakut është t’i kërkohet dorëheqja, pasi është person i akuzuar nga drejtësia.

Ai theksoi se kryeministri Edi Rama duhet të veprojë në mënyrë që të krijojë një kulturë të dorëheqjes brenda partisë së tij.

“Largohet sepse jep dorëheqje, i kërkohet nga kryeministri, partia. Nëse fut kulturën e dorëheqjes, unë lë drejtësinë që të punojë. Unë meqenëse jam akuzuar, jap dorëheqjen që të mos thonë që unë po i bëj presion me pushtetin tim drejtësisë dhe ata të jenë më të pavarur dhe të pa ndikuar nga pushteti im”, tha ai.

Lubonja shprehu kritika ndaj Ramës duke e quajtur atë përgjegjës për mbledhjen e “hajdutëve” në qeverinë e tij dhe për këtë duhet të jap dorëheqje.

“Rama duhet të kërkoj dorëheqje dhe të fusë në partinë e tij, meqenëse është dhe më i mirë se ata të tjerët, kulturën e dorëheqjes. Nëse është njeri i ndershëm dhe i dalin ca që i hanë kumbulla, u kërkon atyre dorëheqjen. Mund të jap edhe dorëheqjen vetë sepse ka qenë kaq i paaftë sa ka mbledhur rreth tij vetëm hajdutë. Nëse është i ndershëm jep dorëheqjen se jam i paaftë”, tha Lubonja.

Më tej, Lubonja ka hedhur edhe një hipotezë lidhur me reagimin e Ramës ndaj vendimit për Erion Veliajn, ku thotë se vendimi mund të ketë pasur për qëllim mbrojtjen Belinda Ballukut, e cila është marrë e pandehur nga SPAK.

“Pra thotë për Veliajn, por godet për Ballukun që për të të aplikohet kjo dhe ajo të rri në detyrë”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb