Në bypass-in e Vlorës punimet po vijojnë me ritëm të lartë për të bërë të mundur që ky segment të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve gjatë sezonit veror. Aktualisht ka përfunduar shtresa e parë asfaltike në 10 kilometrat e parë dhe 10 kilometrat e fundit të projektit, ndërsa po vijon puna me intensitet në zonën e Kaninës pas zgjidhjes së problematikave të cilat u evidentuan në këtë pjesë të segmentit. Sa i takon veprave të artit, dy prej urave kanë përfunduar plotësisht ndërsa kanë avancuar punimet për ndërtimin e tre urave të tjera.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho, ndoqën nga afër ecurinë e punimeve duke përshkruar një pjesë konsiderueshme të kësaj vepre.

“E kemi premtuar që bypass-i i Vlorës do jetë i hapur gjatë sezonit të verës, kështu që të gjithë qytetarët shqiptarë, por edhe vizitorët e huaj të cilët kalojnë pushimet në rivierën tonë, të mos qëndrojnë më në radhët e gjata kilometrike të cilat krijohen gjatë sezonit të verës në zonën e Radhimës dhe atë të Orikumit”, bëri të ditur ministrja Belinda Balluku.

Kjo vepër, shtoi Balluku, do të jetë e gjitha panoramike edhe krahas lehtësimit të trafikut, i cili rëndohet ndjeshëm gjatë sezonit turistik, do t’i jap një zhvillim edhe zonës të cilës përshkruan.

“Kjo zonë përveçse do të shfryjë të gjithë trafikun që krijohet sidomos gjatë verës për shkak se Vlora është kthyer në një nga spotet më të rëndësishme të turizmit shqiptar, por ndoshta dhe atij ballkanik, nga ana tjetër kjo vepër ka rritur vlerën e të gjitha pronave në këtë zonë në mënyrë të jashtëzakonshme kështu që është dhe një ndihmë e madhe ekonomike për të gjithë banorët e kësaj zone”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se në këtë projekt janë marrë në konsideratë të gjitha kërkesat e banorëve të zonës teksa shtoi se në këtë segment do të ketë një pikë të dedikuar edhe për sportin e aeronautikës, e cila do të jetë një mundësi e shtuar për të gjithë të apasionuarit e këtij sporti.

Drejtori i ARRSH si dhe inxhinieri i cili ndjek punimet në këtë vepër saktësuan se nga duke nisur nga java e ardhshme do të nis hedhja e shtresave të tjera asfaltike, pasi tre muajt e parë të vitit ky proces u kushtëzua nga moti me reshje shiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb