Në Portin e Durrësit do të realizohet një ndër investimet më të mëdha, i cili do të transformojë totalisht pamjen aktuale të këtij porti duke i dhënë atij një pamje dinjitoze. Sipas masterplanit të hartuar nga Qeveria Shqiptare, porti i mallrave do të rialokohet në zonën e Porto Romanos, ndërkohë që porti aktual do t’i nënshtrohet një rehabilitimi të plotë, i cili do t’a kthejë atë në një port turistik.

Për këtë projekt të rëndësishëm, Qeveria Shqiptare ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Qeverinë e Emirateve të Bashkuara. Përmes këtij investimi, synohet që porti i ri i Durrësit të kthehet në një pikë të rëndësishme jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një inspektimi që zhvilloi në Portin e Durrësit, e shoqëruar nga deputetja, Milva Ekonomi dhe Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vëngu, tha se ka ardhur momenti që ky port të marrë rëndësinë që i takon, ndërsa e cilësoi investimin që pritet të nisë, me ndikim të madh jo vetëm në ekonominë lokale të qytetit, por edhe atë kombëtare.

“Synimi i Qeverisë është që Durrësi, sidomos edhe pas tërmetit të 26 nëntorit, të kthehet në një qytet turistik me vlerë të madhe jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Kështu që ne shumë shpejt do nisim nga puna. Kemi dizenjuar disa hapa të cilat janë të rëndësishme, duke filluar nga rialokimi i portit komercial aktual dhe deri tek nisja e projektit, pra të ballinës ujore, por edhe të basenit, i cili do të kthehet në një marinë për jahtet”, u shpreh Balluku.

Duke vlerësuar si shumë të rëndësishme të dy projektet, si ai për rialokimin e portit ashtu dhe për kthimin e portit aktual në një port totalisht turistik, ministrja Balluku njoftoi se porti i ri i Durrësit do të lidhet me zonën e Porto Romanos, e klasifikuar si një zonë e lirë ekonomike, me një linjë hekurudhore e cila do të lehtësojë lëvizjen dhe qarkullimin e mallrave.

“Rialokimi i portit sigurisht na jep mundësi ne që të risim kapacitetet. Porti i ri do të nisë dhe do të ndërtohet mbi bazën e një parashikimi të volumeve të 10-vjeçarit të ardhshëm dhe duke lënë hapësira për më pas, për dekadat e tjera për të pasur zhvillim. Ky është elementi i parë. Element i dytë është që porti i ri i Durrësit do të ketë një zonë të lirë ekonomike, e cila ndodhet në Spitallë. Ne kemi lënë një pjesë të kësaj zone në dispozicion për zonën ekonomike. Gjithçka që do të ndodhë në Durrës nga ky moment e tutje do jetë një sfidë e madhe për të gjithë ne, pasi flitet për projekte shumë të mëdha, që të dyja, edhe rialokimi i portit edhe pjesa e ballinës ujore dhe marinës”, theksoi Balluku.

Referuar masterplanit, Drejtori Vëngu sqaroi se pavarësisht zhvendosjes së portit në zonën e Porto Romanos, terminali i pasagjerëve do të vijojë të qëndrojë në po të njëjtin vend. “Masterplani parashikon që terminali aktual i pasagjerëve të mbetet në Durrës, aty ku është aktualisht dhe nuk do të rialokohet. Kjo edhe për efekt se Qeveria Shqiptare ka investuar në moderiznimin e tij ndër vite dhe është një ndër terminalet më moderne që ka në Adriatik dhe Jon”, tha Vëngu.

Për deputeten Milva Ekonomi projektet që po planifikohen të zbatohen në Durrës, në kuadër edhe të procesit të rindërtimit, synojnë ta kthejnë këtë qytet në një ndër më të rëndësishmit sa i takon zhvillimit të turizmit.

“Ky është projekt tashmë i filluar, që do t’i japë Durrësit një vlerë jashtëzakonisht të shtuar, nisur dhe nga fakti që rindërtimi i ka sjellë dhe një mundësi për të rregulluar të gjithë pasurinë arkeologjike që Durrësi ka. Durrësi ofron një vend ku ndalohen jahte, por ke dhe çfarë sheh brenda në qytet me përmirësimet arkeologjike që kanë për t’ju bërë. Kështu që besoj do jetë shumë e rëndësishme për banorët e Durrësit sesi do zhvillohet qyteti në këto vite që do vijnë dhe do t’i ketë dhënë dhe një impakt edhe jetës ekonomike e sociale të familjeve durrsake, që me siguri e mirëpresin çdo iniciativë”, theksoi deputetja Ekonomi.

Për të dyja projektet tashmë ka nisur puna, ku është miratuar marrëveshja me qeverinë e Emirateve të Bashkuara, ndërsa në ditët në vijim do të miratohet edhe marrëveshja e negocimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: