Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot në Kuvend se ndryshimet e kërkuara në projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 43/2015, “Për sektorin e energjisë elektrike”, të ndryshuar”” janë mëse të domosdoshme.

Sipas saj, me këto ndryshime krijohet një kornizë e qëndrueshme rregullatore dhe që tregu të tërheqë sa më shumë investime.

“Synohet krijimi i një tregu të lirë të energjisë elektrike, vitin e kaluar i dhamë jetë bursës energjetike, Ndryshimet në ligj janë të nevojshme për të shfuqizuar disa dispozita që pengojnë arritjen e autonomisë të OST”,- tha ajo.

Deklarata e plote:

Shqipëria prej kohësh tashmë ndjek ëndrrën dhe objektivin e saj kryesor për t’iu bashkuar familjes së madhe Europiane.
Çdo reformë që Qeveria Rama ka çuar përpara, dhe ato kanë qenë vërtet të shumta, ka qenë në funksion në radhë të parë, të përmirësimit të jetës së qytetarëve shqiptarë, por padyshim kanë vërtetuar dhe synimin tonë parësor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sot më shumë se kurrë, me vendimin e BE për çeljen e negociatave me Shqipërinë, reforma në sektorin e energjisë është një domosdoshmëri.
Çka synohet të arrihet nëpërmjet kësaj reforme energjetike është:
 Krijimi i një kornizë të qëndrueshme rregullatore dhe tregu të aftë për të tërhequr investime në prodhimin e energjisë dhe rrjetet elektrike, qofshin këto investime të huaja apo vendase.
 Krijimi i një tregu të integruar të energjisë që lejon tregtinë ndërkufitare dhe integrimin me tregun e Bashkimit Europian;
 Garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm të energjisë, thelbësor ky për zhvillimin ekonomik dhe stabilitetin shoqëror;
 Nxitja e përdorimit të energjisë së rinovueshme dhe sigurisht eficenca e kësaj energjie, dhe pika e fundit
 Zhvillimi i konkurrencës, çka është dhe më e rëndësishmja dhe ne po mundohemi ta nxisim sa më shumë, si ajo rajonale ashtu dhe ajo vendase përmes krijimit të një tregu të lirë të energjisë elektrike. Dhe ashtu siç ju e dini, ne vitin e kaluar kemi arritur që t’i japim jetë Bursës Energjetike Shqiptare për herë të parë.

Ndryshimet që propozojmë sot në “Ligjin për sektorin e energjisë elektrike” synojnë të përafrojnë legjislacionin tonë me acquis communitaire, duke përmbushur kështu disa nga parakushtet dhe rekomandimet e Komisionit Europian në kuadër të procesit të integrimit.

Ndërhyrja në ligjin aktual është konsideruar e nevojshme për të siguruar ndryshimin apo shfuqizimin e një numri dispozitash, të cilat pengojnë arritjen e autonomisë së plotë të Operatorit të Sistemit të Transmetimit, si dhe ndarjen (unbundling) ligjore e funksionale të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Një proces që tashmë ka nisur nga fillimi i vitit, 1 janar 2020 dhe janë përmbushur të gjitha kushtet ligjore.
Për të siguruar pavarësinë e OST-së, deri më sot janë ndërmarrë një sërë hapash të cilat kanë mundësuar certifikimin e OST nga ERE.
Megjithatë, certifikimi është dhënë me kusht që brenda një afati kohor të caktuar të dëshmohet autonomia e shoqërisë, e cila realizohet nëpërmjet delegimit të kompetencave të caktuara nga Ministri përgjegjës për energjinë tek aksionari i shoqërisë.
Konkretisht, ndryshimet kryesore në ligj, të nevojshme për përmbushjen e kushteve të vendosura, janë:
1. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk mundet më t’i propozojë Këshillit të Ministrave miratimin apo kundërshtimin të interkonektorëve të rinj që do të ndërtohen nga OST-ja,

2. Dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në cilësinë e aksionarit të shoqërisë, do të ketë ekskluzivitetin e dhënies së opinionit në ERE për planin e zhvillimit të rrjetit.

Ndërkohë, për realizimin e ndarjes ligjore dhe funskionale të OSHEE propozohen ndryshimet në Nenin 72, të këtij ligji, me anë të cilave synohet të garantohet pavarësia teknike, fizike, dhe financiare e tre kompanive bija të krijuara gjatë procesit të unbundling.

Shoqëria mëmë rezervon të drejtën e mbikëqyrjes ekonomike dhe menaxheriale, por nuk mund të japë udhëzime për veprimtarinë operacionale të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) dhe nuk ka të drejtë vendimarrje lidhur me ndërtimin apo rikonstruksionin e linjave të shpërndarjes.
Pra krijojmë një pavarësi të plotë, pavarësisht se kanë një kompani mëmë e cila mbikëqyr të gjitha proceset, por pa pasur të drejtë vendimmarrje apo pa pasur të drejt të jap urdhra në mënyrën e zhvillimit të tre kompanive bija.
Gjithashtu, shoqëria mëmë OSHEE duhet të angazhojë një zyrtar, i quajtur i pajtueshmërie, i cili do të hartojë një program që përcakton masat që do të merren për të siguruar ndalimin e veprimeve diskriminuese, si dhe të sigurojë që respektimi i programit të monitorohet në mënyrën e duhur.
Zyrtari do të jetë plotësisht i pavarur dhe do të ketë akses të plotë në informacionin e nevojshëm për mbarëvajtjen e detyrave të tij, si dhe do të paraqesë një raport vjetor në ERE, cili do të publikohet në faqen zyrtare të këtij Entit.
Qeveria Shqiptare është angazhuar me të gjitha kapacitet e saj, për të ndërmarrë çdo ndryshim ligjor e nënligjor, të nevojshëm për plotësimin e kritereve të vendosura nga Bashkimi Europian.
Të gjitha hapat që kemi hedhur janë kryer në bashkëpunim me Sekretariatin e Komunitetit për Energjinë

Ftoj deputetët të votojnë këtë projektligj pasi amendimet e nevojshme në legjislacionin që qeveris sektorin e energjisë elektrike, tashmë janë në kohë për tu bërë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: