KUKËS

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi sot punimet për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit. Në këtë inspektim Balluku shoqërohej nga kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici dhe përfaqësuesit e kompanisë koncensionare.

Ridgers Mema, përfaqësues i “Kukës International Airport”, bëri të ditur se punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe se synohet që ato të përfundojnë në fund të muajit shkurt, për t’i lënë më pas kohën testimeve të nevojshme për t’u certifikuar si aeroport ndërkombëtar.

“Fatkeqësisht të gjitha objektet ekzistuese në aeroportin e Kukësit ishin jashtë standardit dhe na u desh t’i shembnim ose jemi në pritje që t’i shembnim, siç është kulla, magazina dhe terminali i vjetër. Çdo gjë është ndërtuar nga fillimi, sepse të gjitha objektet ekzistuese nuk i plotësonin dot kushtet, sidomos distancat nga pista, për të bërë të mundur navigimin ajror”, sqaroi Mema.

Balluku tha se për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit po punojnë njëkohësisht disa kompani, krahas atyre shqiptare edhe kompania holandeze NACO, një ndër kompanitë më të njohura në botë në fushën e aviacionit civil.

“Jemi në një aeroporti, i cili është ndërtuar për qëllime ushatarake, me parametra të tjerë, të cilët nuk përputhen me parametrat e aviacionit civil, kështu që pavarësisht se është thënë gjithmonë që aeroporti i Kukësit ekziston aty dhe mjafton të bëhen disa modifikime, këtu praktikisht po ndërtohet një aeroport i ri”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Qeveria Shqiptare, theksoi ministrja Belinda Balluku, ka marrë të gjitha masat për të për t’i ofruar këtij aeroporti të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

“Sapo kemi mbyllur procedurën pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugës së aeroportit të Kukësit, që lidh qytetin e Kukësit dhe Rrugën e Kombit me aeroportin, duke i krijuar kështu infrastrukturën e duhur një aeroporti ndërkombëtar. Në këtë zonë gjithashtu kemi pasur një investim të OSHEE-së duke sjellë këtu linjën 20 kilovolt dhe duke i dhënë një furnizim me atë që kërkohet për operimet e aeroportit për të mos pasur problematika”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministrja Belinda Balluku tha se pavarësisht volumit të madh të punimeve dhe procedurave që ka ndërtimi i kësaj vepre, ka një angazhim maksimal për t’a përfunduar atë në afatin e premtuar. “Kantieri është gjigand, ndoshta është një nga kantieret më të mëdhenj që kemi në këto momente dhe me të vërtetë do të doja t’ju përgëzoja për kohën që ju jeni duke kapur dhe afatin që dukej totalisht i pamundur në fillim, por edhe për të gjithë këtë angazhim maksimal nga ana juaj dhe gjithë kompanive kontraktore”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb