Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka inspektuar në orët e vona ecurinë e  punimeve në nyjen e sheshit “Shqiponja”. E shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ergys Verdho dhe Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, ministrja ka kaluar në të gjithë itinerarin e punimeve dhe tuneleve nëntokësore të ndërtuara deri tani.

Drejtori i ARRSH, Ergys Verdho e njohu ministren me ecurinë e punimeve dhe planin e devijimit të trafikut për fazën 3: “Rrethrrotullimi “Shqiponja” është loti më i rëndësishëm i këtij segmenti. Në prill kemi marrë lejen e ndërtimit dhe ka filluar puna 24 orë pa ndërprerje. Sot kemi një ecuri punimesh të kënaqshme, praktikisht jemi në 40% të elementëve fizikë të veprës. Kemi paraprirë të gjitha afatet e grafikut të punimeve. Në këtë moment, plani i menaxhimit të trafikut na detyron, që këtë hapësirë ne ta bllokojmë për të vendosur punimet. Pra duhet të bëjmë një sakrificë dhe drejtuesit e mjeteve të na mirëkuptojnë për shkallën e vështirësisë që ka ky objekt”.

ARRSH në bashkëpunim me Policinë dhe Bashkinë e Tiranës kanë përgatitur planin për menaxhimin e trafikut në mënyrë që punimet të avancojnë, por të shmanget edhe trafiku i rënduar. Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve për ndryshimet që do të pësojë qarkullimi i automjeteve, teksa ju bëri thirrje atyre që të përdorin rrugët alternative për të hyrë apo dalë nga Tirana.

Ministrja Balluku vlerësoi angazhimin maksimal dhe intensitetin me të cilin po punohet në këtë vepër. Duke hyrë brenda tuneleve nëntokësorë të ndërtuar tashmë, ministrja theksoi se pavarësisht se në sipërfaqe qytetarët shikojnë vetëm ngarkesën e trafikut, që shkaktohet nga punimet në këtë vepër, nën tokë në nivelet 2 dhe 3 të veprës janë kryer volume punimesh shumë të mëdha, në gërmime dhe tunele, një ecuri që jep garanci se vepra do të përfundojë përpara afatit.

“Është bërë një punë kolosale nën tokë. Jemi duke ndërtuar të gjithë nyjën, në tre nivele, 5 tuba dhe është bërë një punë kolosale, e cila nuk perceptohet dot kur ti kalon sipër në autostradë. Në këtë kantier puna nuk pushon për asnjë sekondë, pasi duhet thënë që deri më tani të gjitha punimet kanë qenë nën tokë. Kjo është një nyje mjaft e rëndësishme me tre nivele, e cila do të shpërndajë të gjithë trafikun që vjen nga Durrësi, trafikun që vjen nga Unaza e Re apo dhe trafikun që vjen nga qendra e qytetit. Situata e trafikut padyshim ka qenë e rënduar për shkak të punimeve që kryhen në nyjën kryesore”, u shpreh ministrja Balluku.

Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe veçanërisht drejtuesve të automjeteve, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se devijimi i trafikut për t’i hapur rrugë fazës tjetër të punimeve në nyjen “Shqiponja” do të zgjasë për një periudhë afro 4-mujore, teksa shtoi se së bashku me Policinë Rrugore dhe atë Bashkiake janë marrë masat për të bërë një menaxhim sa më të mirë të lëvizjes së automjeteve, për të evituar problemet apo aksidentet, të cilat ndodhin zakonisht në trafik të rënduar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: