Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në Samitin Hekurudhor të Ministrave të Transportit të Ballkanit Perëndimor, mbajtur në Beograd. Ky Samit, i organizuar nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH, kishte në fokus integrimin e rrjetit hekurudhor të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Europian si dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit.

Në fjalën e saj, Ministrja Belinda Balluku tha se Qeveria Shqiptare, me ndihmën e partnerëve europianë si BERZH, ka disa projekte të rëndësishme sa i takon zhvillimit të transportit hekurudhor. Balluku përmendi rikonstruksionin e linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e linjës që e lidh atë me aeroportin e Rinasit.

“Projekti i nisur i rikonstruktimit të linjës Tiranë-Durrës dhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore deri në aeroport është shumë i rëndësishëm për ne sepse BERZH-i dhe Banka Europiane e Investimeve e dinë shumë mirë që kapacitetet tona nuk janë të mjaftueshme për shkak të faktit që për 30 vjet kemi pasur një boshllëk të madh në këtë sektor. Kur flasim për rikonstruktimin e hekurudhës Tiranë-Durrës ndërtimi i pjesës së re fillimisht kërkon ndërtimin e kapaciteteve, në mënyrë që të jemi të aftë të punojmë edhe në projektet e tjera të cilat do të vijojnë”, u shpreh Balluku.

Bashkëpunimi dhe ndërlidhja e transportit hekurudhor me vendet e rajonit, është një pjesë e rëndësishme e projekteve në këtë sektor, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përmendur këtu projektin i cili lidh Shqipërinë me Malin e Zi.

“Kemi një projekt shumë të rëndësishëm, që është projekti i parë përtej kufirit, sepse bëhet fjalë për hekurudhën e cila shkon deri tek mbikalimi me Malin e Zi dhe kjo vlen për të gjitha projektet e tjera të cilat aktualisht janë në tryezë. Gjithashtu jemi duke biseduar edhe për segmentet e tjera, të cilat do të kontribuojnë që rrjeti hekurudhor i Shqipërisë dhe të gjitha lidhjet kufitare të bëhen realitet në të ardhmen e afërt, por siç e thashë ne e kemi shumë të rëndësishme që të vazhdojmë të ndërtojmë kapacitetet njerëzore sa më parë të jetë e mundur bashkë me mbështetjen tuaj dhe natyrisht të përditësohemi rregullisht në lidhje me të gjitha projektet e ardhshme që do të kemi në të ardhmen”, nënvizoi Balluku.

Bashkëpunimi mes vendeve të rajonit në zhvillimin dhe modernizimin e transportit hekurudhor rrit shkëmbimet mes vendeve, ndërsa ju ofron një alternativë më shumë qytetarëve duke shkurtuar distancën dhe kohën e udhëtimit. Gjithashtu është një hap i rëndësishëm drejt lidhjes së Ballkanit Perëndimor me vendet e Bashkimit Europian.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: