Nënshkruhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive amerikane Exxon Mobil e Excelerate Energy për vlerësimin e kuadrit rregullator teknik dhe komercial të futjes së gazit të lëngshëm natyror (LNG) në Shqipëri.

Marrëveshja u firmos nga ministrja Belinda Balluku dhe përfaqësuesve të kompanive ndërsa ceremonia e zhvilluar në Hjuston, Teksas u përshëndet në lidhje direkte nga Tirana nga kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim.

Kjo marrëveshje përfshin zinxhirin e plotë, duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me LNG, tek ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, dhe deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e LNG, duke shndërruar kështu Vlorën në pikë rajonale shpërndarëse.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Balluku falënderoi mbështetjen që ambasadorja amerikane në Tiranë i ka dhënë këtij projekti, i cili ka një rëndësi të madhe sa i takon sigurisë dhe diversifikimit të burimeve energjetike në Shqipëri.

“Ne kemi nevojë për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, kemi nevojë për së paku një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë. Projekti për termocentralin e Vlorës është 20-vjeçar. Së pari, me ndihmën e Bankës Botërore u projektua dhe u ndërtua për të funksionuar me naftë diezel, por kurrë nuk qe funksional për shkak të defekteve në projektim dhe ekzekutim. Sot jemi besimplotë që gazi i lëngshëm natyror mund të jetë kyçi për të ofruar më së fundmi zgjidhjen përfundimtare për projektin kompleks të termocentralit, duke zgjedhur partnerët më të mirë që janë të aftë për të realizuar një projekt të kësaj rëndësie”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se ky projekt do të sjellë përfitime në të gjithë rajonin: “Qeveria Shqiptare është shumë entuziaste për t’a eksploruar këtë mundësi me dy lider të kësaj industrie dhe do të donte të falënderonte Departamentin Amerikan të Energjisë dhe Ambasadën Amerikane që na bënë bashkë e që mbështetën këtë bashkëpunim, i cili do të forcohet edhe më tej mbi partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehu gatishmërinë e plotë të Qeverisë Shqiptare për nisjen menjëherë nga puna për këtë projekt shumë të rëndësishëm.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb