Ndeshja klasike e Europës, Itali-Gjermani, nuk pati fitues por nostalgjik në shkallët e stadiumit. Një ndër ta ishte edhe Mario Baloteli. Italiani po kalon një formë të shkëlqyer, por gjithsesi ftesa për t’u grumbulluar me kombëtaren nuk po vjen. Një personazhi si ai nuk mund t’i shpëtonte syrit të medias. Në intervistën për “Mediaset” rrëfeu për gjithçka. Mungesën në kombëtare, momentin e mirë që po kalon me Nicë, për derbin por edhe për presidentët më të mirë.

Mario, nis sot (dje) afrimi me bluzën “axurre”?

Jam një tifoz i kombëtares dhe gjithmonë do të jem. Më pëlqen të shoh nga pranë si luajnë, dua të kuptoj mentalitetin e kësaj skuadre.

Ke folur me Venturën? Ende jo? Çfarë do t’i thoshe nëse të telefonon?

Nuk jam një që flas, do më duhet t’ia tregoj në fushë vlerën time. Më duhet të luaj siç di të luajë Mario…

Çfarë do të bësh nëse fiton kampionatin me Nicën?

Nëse fitoj Ligën 1, do të marr një helikopter dhe do fluturoj mbi Nicë.

Na trego një prapaskenë merkatoje që s’e kemi ditur kurrë?

Përpara se të transferohesha te Milani duhej të shkoja te Juventusi, por më pas dolën disa probleme dhe nuk u realizua transferimi. Kishte të drejtë Mihajloviçi kur thoshte se vitin e fundit nuk shpërtheva vetëm për faj të dëmtimeve.

Këtë fundjavë luhet derbi i Milanos, tashmë në dorë të kinezëve…

Derbi është gjithmonë një ndeshje më vete, pavarësisht nëse pronarët janë italianë apo të huaj. Të pasurit pronarë të huaj mund të jetë një risi pozitive, ose diçka që mund të të bëjë keq. Unë shpresoj që në Milano të kenë ardhur njerëzit e duhur për këto dy skuadra.

Cili është më i dashur për ty, Morati apo Berluskoni?

Morati… Ndoshta edhe pse isha shumë i vogël, ai më ka ofruar gjithmonë një dashuri prej prindi dhe do ta respektoj përjetë. Ndërsa me Berluskonin marrëdhënia jonë ishte e ftohtë. Edhe pse si lojtar i Milanit isha i detyruar ta mbaja gojën mbyllur, shumë prej batutave të tij ndaj meje nuk i kapërdiva. U tregua pak zotëri me mua.

Po Galiani?

Në nivelin sportiv, Berluskoni u bë një president i madh, sepse kishte Galianin përkrah.

Ikardi ka shkruar një libër që ka nervozuar jo pak tifozët e Interit?

Është e pamundur të mos bësh sherr me tifozët e Interit…

Sa nostalgji ke për bluzën e Italisë?

Jam i sinqertë, këtë verë, gjatë Europianit, nuk arrija ta shihja Italinë, sepse isha nervoz. E kisha të vështirë të shihja atë grup të vuante pa pasur mundësinë që ta ndihmoj. Që në vegjëli e kam ëndërruar të luaja për Italinë dhe, nëse nuk jam pjesë e këtij grupi, do të thotë se nuk po bëj mjaftueshëm për ta merituar kombëtaren. Unë për këtë po luftoj, për të marrë telefonatën e trajnerit Ventura.

Italia-Gjermani e vitit 2012… Ishte ajo pika më e lartë e karrierës?

E thonë të gjithë. Ishte një mbrëmje përrallore. Shkuam deri në finale dhe ishte shumë bukur. Të gjithë më kujtojnë për këtë, por unë dua ta fshij nga vetja ime, për të shkruar një kapitull edhe më të rëndësishëm, me një fund më të lumtur se ai.

(e.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: