TIRANË- Tom Doshi është ballafaquar sot për dy orë e gjysmë me “atentatorin” e tij Durim Bamin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lidhur me akuzat për vrasjen e mbetur në tentativë të dy deputetëve. Por as përballja nuk e ka “trembur” Bamin, i cili i ka qëndruar deklaratave të mëparshme se gjithë ngjarja është sajesë dhe se video-regjistrimi prej 37 minutash ishte me porosi të Doshit. Fillimisht në Prokurori sot ka shkuar Doshi dhe më pas Durim Bami, i cili ka mbërritur tek Krimet e Rënda i veshur me antiplumb rreth orës 9:00. Pas rreth dy orë e gjysmë Doshi ka lënë institucionin e akuzës pa thënë asnjë koment mbi dëshmitë e tij dhe ballafaqimin me “vrasësin” e porositur. Ndërkaq Bami ka dalë nga Krimet e Rënda vetëm në orën 17:00, pas rreth 8 orësh. Mësohet se përveç përballjes me Doshin, Bami është ballafaquar edhe me shoferin e deputetit, që mendohet të ketë qenë dëshmitar i bisedave. Aktualisht Durim Bami është i arrestuar.

DOSHI, NESER PËR TË PESTËN HERË NË PROKURORI, VIJON BALLAFAQIMIN ME BAMIN

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda pohojnë se seanca e nballafaqimit e nisur sot mes deputetit Tom Doshi dhe Durim Bamit do të vijojë nesër në orën 9:00. Doshi do të paraqitet kështu, për të 5-ën herë për të dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Pas përballjes Doshi nuk ka dashur të komentojë asnjë fjalë për gjithçka ka dëshmuar si dhe për ballafaqimin me atentatorin e penduar Bami.

Deputeti Tom Doshi ka rrëfyer më herët se Bami ishte paguar nga Ilir Meta për vrasjen, por në rrëfimin e parë para trupës hetimore, Durim Bami mohoi gjithçka duke u shprehur se Doshi e kishte paguar për të realizuar videon 37 minutëshe ku tregohej atentati dhe porositësit.

Durim Bami, akuzoi deputetin e PS-së, se ishte ai që sajoi të gjithë historinë dhe akuzat publike ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Sipas Prokurorisë, 36- vjeçari ka pohuar se me Tom Doshin nuk ka pasur njohje të mëparshme, por se e kishte prezantuar me të një deputet tjetër i Kuvendit të Shqipërisë në një nga qytetet në veri të vendit. Pas prezantimit që i ka bërë deputeti në fjalë, Durim Bami shpjegon se është takuar disa herë me Tom Doshin në lokale ku janë zhvilluar bisedat mes tyre. Ai ka thënë se gjithçka është deklaruar për përfshirjen e tij në skenarin për eliminimin e Doshit dhe Fufit me pagesë nga kreu i Kuvendit, është sajesë. Bami ka pranuar se ka shkuar në zyrën e Tahirit për të dhënë versionin e mësuar prej Tomës. “Në zyrën e Tahirit dhe Didit kam qenë me Tom Doshin. Nuk kam marrë porosi nga ndokush për të bërë ndonjë ngjarje”¬ mësohet të ketë thënë ai. Ai ka pranuar ndër të tjera se Tom Doshi i ka dhënë një makinë.

(ma.ar/ar.sh/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: