Maskat nuk ndalin vjedhjet në Bashkitë e Qarkut të Elbasanit. Vjedhja e radhës me thyerje është rregjistruar natën e fundit në qytetin e Belshit. Burime konfindenciale bënë me dije se rreth orës 01.30, që gdhinte e enjte, dy persona të maskuar kanë vjedhur me thyerje një biznes, në anë të rrugës kryesore, pranë qendrës së këtij qyteti.

Vjedhësit edhe në këtë rast nuk janë frikësuar aspak nga rënia e sinjalit të alarmit dhe kamerat e sigurisë. Pasi kanë vjedhur çfarë kanë mundur, personat me maskë e kapele janë larguar me automjetin që e kishin parkuar fare pranë biznesit, ku edhe kryen vjedhjen.

Policia ka dokumentuar ngjarjen dhe paraprakisht ka rënë në gjurmët e njërit prej dy autorëve të dyshuar të kësaj viedhje mjaft të mirëorganizuar. Nuk janë bërë të ditura nga policia detaje rreth kësaj vjedhjeje, si dhe nuk dihet vlera e mallit të marrë nga ky biznes prej vjedhësve me maska.

Një natë më parë nga vjedhës me maska në qytetin e Librazhdit u vodh me thyerje një supermarket dhe një market, ku kishte kamera të shumta sigurie dhe sinjal alarmi që u aktivizua. Vjedhje të kryera në biznese me kushte sigurie kaq të mëdha duken të pabesueshme, por në Qarkun e Elbasanit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb