Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të ndërhyrje në tre rrugë të rëndësishme falë mbështetjes prej 50 milionë dollarësh të siguruar nga IBRD-ja (pjesë e Bankës Botërore). Në dokumentin e bërë publik nga BB lidhur me projektin e rrugëve lokale thuhet se ende një pjesë e mirë e popullatës vuajnë nga aksesi i dobët dhe kushtet në të cilat ndodhet një pjesë e mirë e rrjetit rrugor. Por ndërsa nevoja për ndërhyrje mbetet e madhe dhe ka nevojë për financime që kalojnë qindra milionë dollarë, është parë e paarsyeshme që të bëhet një lloj prioritarizmi në projekte. Pikërisht falë këtij procesi nga 15 akse të klasifikuar si në nevojë për ndërhyrje, tre prej tyre janë konsideruar si prioritarë dhe që ku do të ndërhyhet në vitin e parë të zbatimit të projektit të rrugëve lokale.

Konkretisht sipas dokumentit zyrtar akset me ndërhyrje emergjente janë Fier-Seman me një gjatësi 18.2 kilometra, me një trafik ditor prej 3562 mjetesh, Pogradec-Tushemisht me një gjatësi 4 kilometra dhe me një trafik ditor prej 955 mjetesh në ditë dhe Qafë Thore-Theth me gjatësi 16 kilometra dhe me një trafik ditor mesatar prej 1091 mjetesh.

“Projekti I shërben në mënyrë të drejtpërdrejtë rreth 80 mijë banorëve në këto zona. Kostoja mesatare e investimit është diku tek 600 dollarë për banor. Projekti do të lidhë komunitetet rurale me qendra të rëndësishme ekonomike që ndodhen afër tyre që është një aspekt shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të këtyre zonave” thuhet në dokumentin e Bankës Botërore.

Projekti i rrugëve lokale
Në qershor 2017 Fondi Shqiptari Zhvillimit dhe bashkitë në të gjithë vendin nxorën një listë me rrugët që kishin nevojën më emergjente për ndërhyrje. Nga ky grup u bë një rivlerësim edhe një herë në muajin gusht 2017 duke e harmonizuar këtë më pas edhe me iniciativat e qeverisë për “100 fshatrat”. Në total rezultoi që janë të paktën 200 kilometra rrugë që sipas analizave ekonomike të tyre por edhe kushteve kanë nevojë për ndërhyrje.

Pjesa më e madhe e tyre kanë një trafik mesatar mbi 1 mijë mjete në ditë. Kostoja për ndërhyrjen tek të gjitha këto akse është 109 milionë dollar dhe përfitues direktë janë mbi 251 mijë banorë. Gjithsesi Fondi Shqiptar i Zhvillimit pritet që në vitin e parë ndërhyrjen ta bëjë vetëm tek tre akset e cilësuar si prioritarë./monitor/

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb