Inflacioni po rezulton i qëndrueshëm dhe me një shtrirje të gjerë në ekonomi, duke e shtyrë Bankën e Shqipërisë të rrisë sërish normën bazë të interesit, me 0.5 pikë përqindje. Kjo lëvizje pritje të sjellë një rritje të mëtejshme të yield-eve dhe kostove të huamarrjes në tregun e brendshëm financiar. Ndërkohë, mes ekspertëve po maturohet bindja se rritja e normave të interesit nga bankat qendrore është drejt fundit të fazës më agresive dhe ndoshta vitin e ardhshëm do të marrë ritëm më të ngadaltë.

Banka e Shqipërisë rriti javën e kaluar normën bazë të interesit për të pestën herë brenda këtij viti. Për të tretën herë radhazi, norma bazë e interesit u rrit me 0.5 pikë përqindje dhe ka arritur tashmë në 2.75%, niveli më i lartë që prej fundit të vitit 2013.

Disa analistë mendonin se Banka e Shqipërisë mund ta ngadalësonte disi ritmin e normalizimit monetar dhe ta ndante rritjen me 0.5 pikë përqindje mes nëntorit dhe dhjetorit.

Por, vendimi i fundit i Këshillit Mbikëqyrës reflekton shqetësimin, gjithnjë e më të lartë, që po shfaq Banka e Shqipërisë për natyrën e inflacionit. Inflacioni më i lartë në 24 vjet nuk po lexohet më vetëm si goditje oferte, por si një fenomen që është përcjellë gjerësisht në kostot e prodhimit dhe është pasqyruar gjerësisht në të gjitha produktet dhe shërbimet që prodhohen në ekonominë shqiptare.

“Rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj, pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend.

Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste. Rritja e presioneve të brendshme inflacioniste pasqyron veprimin e tre faktorëve.

Së pari, pozicioni i mirë ciklik i ekonomisë shqiptare, i cili buron nga kërkesa e qëndrueshme për mallra e shërbime dhe nënkupton shfrytëzim të lartë të kapaciteteve të brendshme prodhuese, është shoqëruar me rritje të shpejtë të pagave.

Së dyti, çmimet e larta të lëndëve të para, të naftës dhe energjisë, sjellin rritje të mëtejshme të kostove të brendshme të prodhimit. Së treti, rritja e inflacionit të pritur ndikon në rritjen e çmimeve të kontratave të së ardhmes”, thuhet në deklaratën e fundit të Këshillit Mbikëqyrës.

Indikatori kryesor që dëshmon qëndrueshmërinë e presioneve inflacioniste është inflacioni bazë, që përjashton ato produkte që për nga natyra e tyre kanë luhatshmëri të lartë të çmimeve, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike.

Në muajin shtator, ky tregues arriti në 8.44%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë nga Banka e Shqipërisë.

Inflacioni bazë është një tregues veçanërisht i rëndësishëm në vendimmarrjen e politikës monetare, sepse tenton ta zhveshë inflacionin total nga efektet e goditjeve të ofertës, apo nga faktorë të tjerë me ndikim afatshkurtër. Ai përfaqëson pjesën më të qëndrueshme të inflacionit, e cila ndikohet nga faktorë të kërkesës dhe për rrjedhim, të politikës monetare.

Rriten më tej kostot për huamarrësit

Nëse historikisht ka pasur shqetësime lidhur me funksionimin e mekanizmit të transmetimit të politikës monetare në Shqipëri, këtë herë duket se lëvizjet e saj po përcillen shpejt në tregun financiar.

Segmenti më i ndjeshëm ndaj lëvizjeve të normës bazë, tregu primar i instrumenteve të borxhit të qeverisë, deri tani po lëviz me hapa edhe më të shpejtë. Në fillim të këtij muaji, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 12-mujor arriti në 5.74%, duke shënuar rekord të ri për nëntë vitet e fundit.

Inflacioni i lartë dhe sinjalet e bankës qendrore kanë krijuar pritshmëri të forta se rritja e normave të interesit do të vazhdojë. Edhe për këtë arsye, yield-et e instrumenteve afatshkurtra po rriten me ritme më të shpejta se norma bazë e interesit.

Ndërkohë që në periudhën mars-tetor, norma bazë e interesit është rritur me 1.75 pikë përqindje, yield-i mesatar i ponderuar i bonove me maturim 12-mujor është rritur mbi dy herë më shumë, me 3.95 pikë përqindje.

Pas rritjes së fundit të normës bazë, më datë 2 nëntor, pritet që tregu të reagojë me një rritje të mëtejshme të yield-eve. Përballë inflacionit të lartë, që tashmë ka kaluar nivelin e 8%, investitorët po përpiqen të ngushtojnë hendekun negativ në normat reale të interesit që përfitojnë për të financuar borxhin e qeverisë shqiptare.

Rritja e yield-eve po shton shpenzimet e qeverisë shqiptare për interesa të borxhit.

Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, për nëntë muajt e parë të vitit, buxheti ka shpenzuar 21.1 miliardë lekë për interesa të borxhit të brendshëm, shumë kjo 7% më e lartë krahasuar me 9-mujorin e vitit të kaluar. Rritja pritet të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Shpenzimet për interesa në buxhetin 2023 parashikohen në vlerën 60.9 miliardë lekë, në rritje me 20% krahasuar me vitin 2022.

Pasojat e rritjes së yield-eve po bëhen gjithnjë e më të prekshme edhe për huamarrësit privatë, që kanë kredi me interesa të ndryshueshme në lekë, që zakonisht ndërtohen bazuar mbi yield-in e bonove 12-mujore plus një marzh fiks.

Në harkun e një viti, yield-i bonove 12-mujore është rritur me afërsisht 4.1 pikë përqindje, rritje që do të përcillet automatikisht për huamarrësit, të cilët kanë rivlerësimin periodik të këstit të kredisë në lekë në muajin nëntor.

Kjo nënkupton rritje me afërsisht 45% të këstit për një hua tipike për blerje banese të marrë në monedhën Lek. Rritja e shpenzimeve për interesat e kredisë do të jetë goditje e mëtejshme për buxhetet familjare, të prekura tashmë edhe nga inflacioni më i lartë në 24 vjet.

Rritja e normave të interesit po fillon të reflektohet edhe në çmimin e kredive të reja në lekë. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin shtator, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë arriti në 7.07%, niveli më i lartë që prej shkurtit të vitit 2018.

Aktualisht, norma mesatare e interesit të kredive të reja në lekë është rritur me 1.18 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe me 1.6 pikë përqindje, krahasuar me muajin mars të këtij viti, kur Banka e Shqipërisë nisi normalizimin monetar.

Rritja ka nisur të marrë tipare të qëndrueshme, sidomos pas muajit korrik dhe interesi mesatar i kredive të reja është në rritje tashmë për të tretin muaj radhazi.

Ndërkohë, edhe norma mesatare e interesit të depozitave në lekë shënoi në muajin shtator nivelin më të lartë në të paktën shtatë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në shtator kërceu në 1.45%, në rritje për të tretin muaj radhazi.

Krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin rritës të normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në lekë është rritur me 0.75 pikë përqindje, ose 107%.

“Fundi i fillimit”, a do të ngadalësohet rritja e normave?

Që në momentin kur u bë e qartë se ekonomia botërore do të përballej me një goditje të fortë inflacioniste, shumë ekspertë parashikuan se shtrëngimi monetar do të ishte i shpejtë dhe agresiv, por ndoshta jo afatgjatë.

Parashikim bazohet në logjikën se inflacioni i lartë dhe rritja e shpejtë e normave të interesit do të jepte një goditje të fortë në ekonomi, duke ngadalësuar prodhimin dhe punësimin dhe ndoshta duke sjellë recesion të shpejtë.

Në këto kushte, politika monetare do të detyrohej të frenonte kursin e saj normalizues apo shtrëngues dhe madje ndoshta t’i kthehej një ulje të re në normat e interesit.

Pyetja që shtrohet sot nga analistët e tregjeve botërore është nëse kursi i rritjes së normave të interesit po e arrin pikun. Shumë analistë mendojnë se, duke filluar nga viti i ardhshëm, ndoshta rritja e normave të interesit do të ngadalësohet.

BQE-ja e rriti normën bazë dy herë radhazi me 0.75 pikë përqindje në shtator dhe tetor, duke arritur nivelin 2%, më i larti që nga viti 2008. Edhe Banka e Anglisë rriti sërish javën e kaluar normën bazë me 0.75 pikë përqindje, duke e çuar në 3%, edhe në këtë rast, niveli më i lartë që prej vitit 2008.

Rezerva Federale Amerikane ka ndjekur këtë vit një cikël agresiv të rritjes së normave bazë, që vijoi edhe në muajin nëntor, me rritje prej 0.75 pikë përqindje, duke arritur në intervalin 3.75-4%.

Shefi i FED, Jerome Powell, paralajmëroi se në dhjetor rritja e normave bazë pritet të jetë më e vogël, ndoshta në masën 0.5%. Por, nga ana tjetër, Powell shtoi se është e parakohshme të flitet për stopim të rritjes së normave dhe paralajmëroi se vitin e ardhshëm, ndoshta normat e interesit mund të rriten më shumë nga sa parashikohej fillimisht.

Analistët e bankave të rëndësishme, si JP Morgan apo Goldman Sachs presin që FED të arrijë deri në intervalin 4.75-5% në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Më tej, pritshmëritë janë që rritja e normave të frenohet, ose të ngadalësohet ndjeshëm.

Po Shqipëria?

Prej disa muajsh, edhe Banka e Shqipërisë u është bashkuar atyre bankave qendrore që kanë zgjedhur një qasje agresive në drejtim të rritjes së normave të interesit. Norma bazë është rritur me 0.5 pikë përqindje për tre herë radhazi.

A po i afrohet edhe Banka e Shqipërisë fundit të fazës më agresive në procesin e normalizimit monetar, e kuptuar si mbyllja e fazës së rritjeve me ritëm të shpejtë dhe intervale të larta të normës bazë të interesit?

Në deklaratën pas mbledhjes së fundit, Këshilli Mbikëqyrës përsëriti se cikli normalizues i politikës monetare do të vijojë edhe në të ardhmen e afërt, por pa dhënë indikacione më konkrete lidhur me ritmin e normalizimit. Sipas deklaratës, shpejtësia e normalizimit do të jetë në përputhje me të dhënat e reja dhe e mjaftueshme për të respektuar objektivin afatmesëm të inflacionit.

Në një intervistë për “Monitor” në muajin maj, Drejtori i Departamentit të Politikës Monetare, Erald Themeli, tha se, mbështetur në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, norma ekuilibër apo neutrale e interesit vlerësohet në intervalin 4-4.5%.

Logjikisht, faza e normalizimit, para se politika monetare të quhet shtrënguese, do të përmbushet kur norma faktike e interesit të ketë arritur pranë intervalit të mësipërm. Raiffeisen Research parashikon që norma bazë e interesit në Shqipëri të arrijë në 4.25% deri në fillim të vitit 2024.

Aktualisht, norma bazë e interesit është 2.75%, afërsisht 1.5 pikë përqindje larg vlerësimit të fundit mbi normën ekuilibër.

“Në lidhje me kohën kur ne presim të arrijmë nivelin neutral të normave të interesit, do të thosha se horizonti është afatmesëm. Nuk parashikojmë ta çojmë politikën monetare në pozita neutrale në vitin 2022 dhe as në vitin 2023.

Besoj se për dy vitet në vazhdim do të vazhdojmë të qëndrojmë poshtë normës neutrale, por duke iu afruar në mënyrë progresive këtij niveli.

Ndoshta, në vitin 2024, kur ekonomia të jetë e qëndrueshme, rimëkëmbja më e konsoliduar dhe inflacioni pranë objektivit, atëherë mund të marrim në konsideratë të kalojmë në pozicion neutral”, – shprehej z. Themeli në intervistën e muajit maj.

Po të nisemi nga projeksionet e mësipërme, është e arsyeshme të mendohet se në vitin e ardhshëm, amplituda e rritjeve do të jetë më e ngadaltë, për të lëvizur në mënyrë më graduale pranë normës neutrale të interesit.

Megjithatë, pasiguria e lidhur me inflacionin vazhdon të jetë ende shumë e lartë, siç theksohet vazhdimisht edhe në komunikimet e bankës qendrore. Nëse inflacioni vazhdon të rritet me ritme shqetësuese, nuk mund të përjashtohet që norma neutrale e interesit të arrihet më shpejt nga sa parashikohej.

Në teori, madje, nuk mund të përjashtohet as një kalim në kahun shtrëngues, megjithëse ky skenar për momentin ka më pak gjasa të ndodhë, duke konsideruar pritshmëritë për një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes ekonomike në 2022 dhe 2023.

Banka Qendrore Europiane (BQE) rriti ditët e fundit normat e saj bazë të interesit me 75 pikë bazë, ose 0.75 pikë përqindjeje, ashtu siç pritej. Banka tha se do të vazhdojë të rrisë normat në përgjigje të inflacionit që “mbetet shumë i lartë”. Rritja e çon normën e depozitave në 1.50%.

E shqetësuar nga rritja e shpejtë e çmimeve, BQE po shtrenjton kostot e huamarrjes me ritmin më të shpejtë në histori. Është e sigurt që kjo tendencë do të vazhdojë më tej, duke kthyer me shpejtësi kahun e politikës monetare, që për një dekadë ishte stimuluese.

Presidentja e BQE-së Christine Lagarde tha se “Ne do të kemi rritje të mëtejshme të normave në të ardhmen,”.

Terminologjia e saj u pa nga tregjet si një shenjë zbutjeje e ritmeve të shtrëngimit të politikës monetare.

Investitorët tani vlerësojnë që kulmi i normave të arrijë në rreth 2.6% vitin e ardhshëm, nga pritshmëritë prej afër 3%, të kohëve të fundit.

“Ne presim një rritje të mëtejshme të normës së politikës me 50 pikë bazë në dhjetor dhe një tranzicion drejt lëvizjes me 25 pikë bazë rritjeje vitin e ardhshëm,” tha menaxheri i portofolit të PIMCO, Konstantin Veit.

Rezerva Federale ka rritur normën e saj bazë të politikës monetare me 0.75 pikë përqindje javën e kaluar për të katërtën herë radhazi, teksa vazhdon betejën e saj të gjatë për të reduktuar inflacionin e lartë në SHBA.

Pas takimit të tij dy-ditor, Komiteti Federal i Tregut të Hapur rriti normën e fondeve federale duke e çuar atë në një interval të ri prej 3.75 për qind deri në 4 për qind. Kështu, Fed po intensifikon kontrollin e vet në një ekonomi që po tregohet më elastike se sa pritej përballë këtyre shtrëngime agresive të politikës monetare.

Vendimi i Fed-it për të vazhduar me rritjet e mëdha të normës vjen në kushtet kur po bëhet gjithnjë e më e dukshme se problemi me inflacionin, më i madhi në të gjithë dekadat e fundit, nuk është duke u përmirësuar, pavarësisht nga shenjat se kërkesa e konsumatorëve ka filluar të reduktohet dhe aktiviteti në tregun e pasurive të paluajtshme është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të peshës së normave të larta të kredive hipotekore, të cilat javën e kaluar u rritën duke kaluar shifrën 7 për qind.

Duke pasur parasysh se sa shumë i ka rritur normat Fed deri më tani, nga afër zeros që ishin në mars, zyrtarët e lartë dhe ekonomistët po bëjnë diskutime gjithnjë e më urgjente rreth kohës se kur banka qendrore e SHBA duhet të ngadalësojë ritmin e rritjeve të normës, veçanërisht duke llogaritur faktin që ndryshimet në politikën monetare marrin kohë për të dhënë efektin e tyre në ekonomi.

Fed prezantoi fillimisht idenë për ngadalësimin e rritjes së normave “diku nga” korriku, dhe parashikimet e publikuara në takimin e shtatorit tregojnë se ka mbështetje për një lëvizje të tillë në dhjetor.

Në takimin e shtatorit, shumica e zyrtarëve parashikuan që norma e fondeve të Fed do të arrinte në 4.4 për qind deri në fund të vitit, duke lënë të kuptohet se do të kishte një rritje më të ulët prej gjysmë pikë përqindjeje në muajin e ardhshëm.

Ekonomistët janë të shqetësuar se, nëpërmjet zgjatjes së programit të saj agresiv të politikave shtrënguese, Fed rrezikon të shkaktojë një rënie ekonomike më të rëndë sesa është e nevojshme, si dhe paqëndrueshmëri në tregjet financiare.

Banka e Anglisë ka rritur normat e interesit me 0.75 pikë përqindjeje, duke i çuar në 3 për qind. Kjo është lëvizja më e fuqishme e Bankës për të zbutur inflacionin në 30 vjet.

Duke parashikuar një “perspektivë shumë sfiduese” me një recesion të gjatë përpara, banka qendrore, megjithatë, dha sinjale jashtëzakonisht të forta se normat e interesit nuk do të duhej të rriteshin shumë më tej për ta rikthyer inflacionin në objektivin prej 2 për qind.

Komiteti i Politikës Monetare të BoE tha se pritjet e tregut që normat e interesit do të arrinin 5.25 për qind ishin shumë të larta.

Shumica e komitetit, tha ai, besonte se mund të kërkohen “rritje të mëtejshme për një kthim të qëndrueshëm të inflacionit në objektiv, megjithëse në një kulm më të ulët se çmimi në tregjet financiare”.

Vendimi i BoE përputhet me rritjen e Rezervës Federale të SHBA me 0.75 pikë përqindje të mërkurën dhe një lëvizje identike nga Banka Qendrore Evropiane javën e kaluar.

Rritja e normave në 3 për qind e çoi normën zyrtare të interesit në Mbretërinë e Bashkuar në nivelin më të lartë që nga fundi i vitit 2008. Kjo është rritja më e madhe që nga viti 1989./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb