GREQI-Banka Qendrore e Greqisë ka paralajmëruar sot se nëse Athina dështon të arrijë marrëveshje me kreditorët e saj ndërkombëtarë, një gjë e tillë do të çojë në daljen e mundshme të Greqisë nga Eurozona dhe Bashkimi Evropian.

“Dështimi për të arritur marrëveshje, do të shënojë fillimin e një drejtimi të dhimbshëm, që fillimisht bën që Greqia të dështojë në pagesën e borxheve dhe pastaj çon në daljen e vendit nga Eurozona dhe, sipas të gjitha gjasave, edhe nga Bashkimi Evropian”, ka thënë Banka Qendrore greke, raporton AFP.

Në fillim të kësaj jave, Greqia dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë kanë dështuar të arrijnë marrëveshjen, e cila do t’i siguronte Greqisë këstin e fundit, në vlerë prej 7.2 miliardë eurosh, nga paketa e ndihmës ndërkombëtare.

Kreditorët ndërkombëtarë, përfshirë BE-në dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, kanë kërkuar reforma të mëtejshme në ekonominë greke, përfshirë rritjen e taksave dhe shkurtimin e rrogave të shërbyesve civilë dhe të pensioneve, para se të japin këstin e fundit.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: