Eksporti i naftës bruto të prodhuar në vendburimin Patos-Marinëz në Portin e Petroliferës, Vlorë, tashmë bëhet i gjithi nëpërmjet sistemit hekurudhor. Kompania Bankers Petroleum Albania konfirmon se e gjithë sasia e naftës bruto që shitet në tregun e eksportit, transportohet me tren, duke anashkaluar plotësisht transportin rrugor me kamionë. Linja e re hekurudhore Fier-Vlorë, një investim i kompanisë “Abrail”, ofron një shërbim transporti të sigurtë dhe modern dhe në përputhje me standardet më të larta europiane.

Transporti përmes linjës së re hekurudhore ka reduktuar ndjeshëm trafikun rrugor në autostradën Fier-Vlore, i cili është shumë i rënduar gjatë stinës së verës. Sipas përllogaritjeve të kompanive, më parë transporti i naftës bruto nga qendra e Fierit tek Petrolifera bëhej përmes një numri total prej 12,000 kamionësh në vit, ndërsa sot ka zero lëvizje përmes tyre.

Përfaqësues të Bankers, thonë se qëllimi i kompanisë nuk ishte vetëm ulja e kostove të transportit të naftës, por mbi të gjitha reduktimi në minimum i ndotjes në mjedis dhe rritja e sigurisë gjatë këtij shërbimi. Është fakt se transporti hekurudhor nuk ka regjistruar asnjë incident dhe ofron një siguri më të lartë për çdo punonjës që punon në këtë aktivitet.

Bankers Petroleum Albania Ltd. është prodhuesi më i madh në vend, duke dominuar mbi 90% të totalit të naftës shqiptare. Pjesa më e madhe e kësaj nafte bruto eksportohet në tregjet e huaja. Kompania ka qenë gjithmonë e fokusuar për të investuar në shërbime dhe teknologji që ulin kostot, ndotjen dhe përmirësojnë standardet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: