Bankers Petroleum Albania, kompania më madhe e naftënxjerrëse në vend, ka shënuar një prodhim prej rreth 275 mijë ton gjatë gjysmës së parë të vitit 2020. Prodhimi mesatar ditor është aktualisht rreth 2050 ton, duke iu afruar dita-ditës niveleve të prodhimit përpara fillimit të pandemisë. Megjithëse gjatë muajve të pandemisë, kompania u detyrua të reduktonte në minimum aktivitetin në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, tashmë situata i është rikthyer normalitetit.

“Kjo ka qenë padyshim një periudhë sfiduese për ne, por ne kemi marrë të gjitha masat në mbarëvajtjen e operacioneve të naftës dhe kemi arritur të rikthehemi në aktivitet normal, duke vijuar investimet në fushën e Patos-Marinzës.”, tha Luntao Chen, VP of Bankers Petroleum Albania, Luntao Chen.

Investimet e Bankers gjatë kësaj periudhe nuk janë ndalur. Sipas të dhënave nga kompania, deri në fund të muajit qershor janë shpenzuar rreth 52 Milionë dollarë për investime dhe pagesa ndaj nënkontraktorëve, shtetit si dhe pushtetit lokal. Mbi 80% e nënkontraktorëve janë sipërmarrje shqiptare, përmes të cilave gjenerohet punësim dhe të ardhura për ekonominë vendase.
Mbi 16 Milionë dollarë taksa janë paguar nga Bankers gjatë gjysmës së parë vitit, ku peshën më të madhe e zë renta minerare, me rreth 9.3 Milionë dollarë. Në fakt, Bankers zë rreth 75% të totalit të të ardhurave që shteti shqiptar mbledh nga renta minerare.

Por, sipas zëvendëspresidentit të Bankers Petroleum Albania, një fokus të veçantë gjatë kësaj periudhe ka qenë ruajtja e shëndetit të çdo punonjësi, duke shmangur riskun e infektimit apo shpërndarjes së virusit Covid-19.

“Ne kemi qenë shumë strikt edhe në zbatimin të protokolleve shëndetësore të aprovuara nga shteti shqiptar në kuadrin e pandemisë së virusit Covid-19. Mirëqenia e punonjësve është në thelb të aktivitetit tonë si kompani prandaj ne jemi kujdesur që mjedisi i punës të jetë i sigurtë, duke kryer dezifenktime periodike të zyrave, ruajtjen e higjienës dhe distancave, mbajtjen e maskave dhe dorezave nga çdo punonjës dhe informimin e stafit mbi rregullat që duhet të ndiqen”, tha zëvendëspresidenti.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb