Banorët e rrugës së Bogdanëve kanë dërguar një letër OSHEE dhe për dijeni Bashkisë se Tiranes për një shqetësim në zonën e tyre.

Sipas letrës ata ankohen për punimet që po kryhen për llogari të OSHEE nga një firmë e panjohur.

Banorë të kësaj zone në letrën drejtuar Bashkisë duan të vënë në dukje shqetësimin e punimeve që krijon për jetesën e tyre të përditshme zgjatja e punimeve në këtë segment, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në jetesën e tyre.

Letra e plotë
PETICION NGA: Banorë të Rrugës së Bogdanëve.

DREJTUAR: OSHEE SHA, Drejtorit të Përgjithshëm, Z. Adrian Çela BAZA LIGJORE: Neni 19/1 i Ligjit Nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore”
PËR DIJENI: BASHKIA TIRANË Kryetari i Bashkisë, Z. Erion Veliaj.

I nderuar zoti Kryetar i Bashkisë Tiranë! Ne, të nënshkruarit, banorë të regjistruar të Bashkisë Tiranë, banues në Rrugën e Bogdanëve, me respekt sjellim në vëmendjen tuaj një problematikë e cila është bërë shqetësuese prej disa muajsh në zonën në të cilën ne banojmë aktualisht, në rrugën e Bogdanëve. Rruga e Bogdanëve është një rrugë mjaft e njohur në Qytetin e Tiranës dhe ashtu si çdo rrugë tjetër, është rrugë publike për përdorim të përgjithshëm mbi të cilën lëvizin si këmbësorët ashtu edhe mjetet rrugore. Në këtë rrugë, prej disa muajsh kanë filluar të kryhen punime për llogari të OSHEE SHA, nga një subjekt i panjohur (kjo për faktin që në zonën ku po kryhen punimet, nuk është pozicionuar tabela me të dhënat informuese përkatëse për kohën e fillimit dhe të përfundimit të punimeve). Ajo që duam të vëmë në dukje si banorë të kësaj zone lidhet me shqetësimin që krijon për jetesën tonë të përditshme zgjatja e punimeve në këtë segment, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt: Së pari, në shëndetin dhe mushkëritë e njerëzve, pasi pluhuri i ngritur në ajër është një problem jo vetëm për higjenën përreth por edhe për organet jetësore të njeriut. Së dyti, qarkullimi në këtë rrugë publike, është bërë i vështirë jo vetëm për automjetet, por edhe për kalimtarët, ndërkohë që vështirësi konstatohen edhe me vendparkimet. Vlen të theksojmë se në këtë zonë të Tiranës, pra përreth Rrugës së Bogdanëve, banojnë të moshuar apo fëmijë, të cilët mund të pengohen dhe lëndohen për shkak të gropave dhe të carave të rrugës të cilat janë ende të pambyllura dhe të pashtruara me asflat. Së treti, vonesat burokratike për përfundimin në kohë të këtyre punimeve nga subjekti përkatës, po dëmtojnë nga dita në ditë, dhe kanë penalizuar punën e të gjitha bizneseve dhe subjekteve tregtare të pozicionuara në këtë rrugë, të cilët janë taksapagues të rregullt ndaj shtetit shqiptar, konform legjislacionit në fuqi për detyrimet fiskale. Së katërti, duhet të përmendim faktin se kjo zonë frekuentohet shumë edhe nga turistë të huaj të cilët janë shumtë dhe të përditshëm për shkak të një aktiviteti të turizimit dentar në këtë zonë. Lënia e Rrugës së Bogdanëve në këtë gjëndje dhe mosrehabilitimi i saj në kohë, do të prishte imazhin jo vetëm të subjekteve tregtare që operojnë në lëtë zonë por edhe të vetë kulturës dhe impaktit që ka kryeqyteti jonë Tirana në sytë e të huajve, si një qytet model, i pastër dhe me infrastrukturë të rregullt. Në nenin 19/1 “E drejta e kërkesës, ankesës dhe vërejtjes” të Ligjit Nr.139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore parashikohet se: 1.“Çdo qytetar apo grupe që përfaqësojnë komunitetet kanë të drejtë t’u drejtojnë kërkesa, ankesa apo vërejtje organeve të vetëqeverisjes vendore për çështje që lidhen me funksione dhe kompetenca në juridiksionin e njësisë së vetë-qeverisjes vendore” Me të drejtën qe na lind si qytetarë të Tiranës, dhe si banorë të zonës, kërkojmë nga ana e autoritetit tuaj që pasi të verifikoni kushtet dhe gjëndjen e rënduar në të cilën ndodhet Rruga e Bogdanëve, duke marrë në konsideratë faktin se jemi edhe në sezon turistik dhe të huajt që jetojnë në këtë zonë janë të panumërt, të merrni masa për rehabilitimin e kësaj rruge publike dhe përfundimin e punimeve në një kohë sa më të shkurtër, për të garantuar një jetesë normale dhe qarkullim të rregullt të këmbësorve dhe mjeteve rrugore. Duke besuar në mirëkuptimin tuaj, pasi të nmerrni në shqyrtim kërkesën, mbetemi në pritje të një përgjigje nga ana juaj për shqetësimet e ngritura nga ana jonë si banorë të kësaj rruge dhe komunitetit përreth.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb