MAT

Banorët e fshatit Ferr-Shkopet dhe Skuraj kanë ngritur shqetësimin për shkatërrimin që po i bëhet lumit Mat nga ana e firmes Salillari.

Ata shprehen se firma po kryen veprime antiligjore në dritën e diellit e asnjë masë nuk merret ndaj saj, por për cudi ajo përkrahet nga ana e policisë dhe instancave shtetërore.

Firma Salillari sipas banorëve merr inertet e godinave që po shemben tek “Astiri” në Tiranë ose në vende të tjera, ku firma po shemb apo po bën punime e i sjell ato në bregun e lumit duke e mbushur atë me inerte e mbeturina të ndryshme e nderkohë mere prej aty zhavorr për ta përdorur në kantjerët e saj.

Banorët shprehen se janë ankuar në polici, por uniformat blu, në vend që të marrin masa ndaj firmës që po kryen disa vepra penale, na kërcënon ne si banorë e na shoqëron në komisariat.

Një prej banorëve thotë se kanë tentuar t’i bllokojnë, por janë kërcënuar nga ana e inspektorit të zones Muharrem Dema, i cili i del në mbrojtje firmës në kundërshtim me ligjin.

Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, ndotja e ambientit dhe e lumenjve dënohet me burg deri në 10 vjet.

Po ashtu, edhe shfrytëzimi i lumenjve e sidomos i lumit Mat është i ndaluar me ligj, por firma për këto nuk do t’ja dijë, ajo mbush me inerte e pisllëqe njërin krah të lumit duke e devijuar atë e për pasojë lumi shkakton erozion në anën tjetër të tij duke marrë kështu me vete mbi 20 dynym tokë buke, që këto banorë e kanë me dokumente të rregullta brez pas brezi.

Lumi Mat e pikërisht vendi ku firma po bën hatanë është zonë turistike dhe veprimet e firmës, përpos dëmit ekologjik dhe ekonomik po shkakton dhe një dem të pa riparueshëm në turizëm e mjedis.

“Firma vijon të punojë pa ndalim e askush nuk do t’ja dijë. Përfaqësuesit e firmës sillen si Sulltan me arrogancë e mospërfillje të mbrojtur në mënyrë të padrejtë nga Policia e Shtetit, e cila me c’duket është kthyer në nëpunëse të firmës Salillari.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb