Banorët e fshatit Perondi janë ngritur sot në protestë. Ata janë grumbulluar në qendër të fshatit për të protestuar kundër bashkisë së Kuçovës, që i ka lënë në mëshirë të fatit, pa rrugë, pa investime dhe pa kanalizime.

Sipas banorëve-kolektori i grumbullimit të ujërave të larta dhe ujërave të zeza nuk është pastruar prej më shumë se 8 vjetësh dhe duke vijuar i bllokuar ai përmbyt jo vetëm banesat por edhe tokat bujqësore të këtij fshati, në raste të reshjeve të pandërprera të shiut.

Vetëm gjatë këtij muaji familjet e këtij fshati janë përmbytur dy herë, uji u ka depërtuar jo vetëm brenda banesave por edhe në tokat bujqësore, duke dëmtuar të mbjellat.

Banorët shprehen se si rezultat i përmbytjeve ju janë dëmtuar në ara: misri, jonxha, tërfili, gruri etj dhe në këto kushte ata janë detyruar ti mbjellin prapë.

Banorët shprehen se kanali grumbullues që përshkon mes për mes fshatin është i bllokuar dhe i mbuluar me kallamishte e çakëll dhe kjo bën që edhe pusetat (edhe këto të gjitha të hapura) të mos e kryejnë funksionin e tyre për tërheqjen e ujërave të larta dhe duke përhapur kudo edhe ujërat e zeza.

Banorët pohojnë se kanë shkuar shpesh herë në bashkinë e Kuçovës dhe në Njësinë Administrative Perondi, ku vetëm ju është premtuar se kanali do të pastrohet por deri më sot nuk është bërë asgjë. Një tjetër shqetësim që kanë ngritur banorët e fshatit Perondi është edhe mungesa e rrugëve dhe investimeve nga ana e bashkisë, që e ka lënë këtë zonë në mëshirë të zotit.

Në fshatin Perondi janë rreth 100 familje që përmbyten disa herë në vit gjatë sezonit të reshjeve, për shkak të mosfunksionimit dhe bllokimit të kanalit të ujërave të larta, që përshkon mes për mes fshatin. Nga përmbytjet atyre ju janë shkaktuar dëme të mëdha në prodhimet bujqësore, të cilat ju janë dëmtuar e kalbur në ara, ndërkohë që dëme kanë pasur edhe në orenditë shtëpiake dhe gjënë e gjallë brenda banesave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb