VLORË- Gjatë gjithë natës së të premtes, banorët e ish-kabinave të plazhit kanë bërë roje në shtyllat e energjisë elektrike për të mos lejuar punonjësit e OSHEE të ndërprisnin rrymën.

OSHEE iu riktheu energjinë pasditen e së premtes banorëve të kësaj zone pas 10 ditësh që e kishte ndërprerë. Por OSHEE deklaroi se banorët kishin afat deri në mbrëmje për të lidhur kontratat dhe paguar debitë. Sipas OSHEE banorët nuk janë paraqitur, çka do të pasonte sërish me prerjen e energjisë.

Por banorët nuk i kanë lejuar punonjësit e OSHEE, madje dhe janë përplasur me ta. Banorët kanë deklaruar se nuk kanë asnjë të ardhur dhe nuk kanë mundësi të paguajnë faturat e energjisë.

Ndërkohë dje këto familje janë vizituar edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, i cili ka deklaruar se do ta çojë çështjen në parlament.

Këto 90 familje janë strehuar nga bashkia me një qira modeste në këto kabina dhe pjesa më e madhe tyre janë në gjendje të mjerueshme, pa punë dhe pa ndihmë ekonomike.

Pas përplasjeve dhe debateve, OSHEE ka arritur një marrëveshje të re dhe banorëve u është lënë afat deri sot në mbrëmje.
“Banorët të paguajnë faturën e fundit, duhet të paguajnë edhe 1 mijë lekë çdo muaj. Kur të bëhen pagesat, do të pajisen me sahat”, deklaroi OSHEE.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb