Banorët takojnë Gjermenin: Duam dëmshpërblim, jo qira për 2 vjet*.Deputeti i LSI Shkëlqim Selami bisedon me banorët: Do angazhohem personalisht, do ta diskutoj me kryeministrin.*

TIRANE – Banorët e lagjes “Kushtrimi” të Vlorës kanë përshkallëzuar protestat e tyre, për të kërkuar shpronësimin e banesave që do tu shemben nga ndërtimi i rrugës Trans-Ballkanike. Dhjetëra banorë u mbledhën sot në sheshin përpara parlamentit, duke i bërë thirrje qeverisë që të nisë shpronësimin e tyre sipas ligjeve në fuqi. Pjesa më e madhe e ketyre banorëve i kanë shtëpite në proces legalizimi dhe qeveria ka parashikaur për ta vetëm pagimin e qirasë për një periudhë 2-vjeçare.
“Jemi ndeshur me qeverinë vendore me Bashkinë e Vlorës, nuk na është dhënë asnjë zgjidhje konkrete. Ne kërkojmë të paktën shpronësimin e banesave tona, nuk flasim për tokën. Shteti të na sigurojë një banesë tjetër, ose shpronësimet sipas ligjeve në fuqi. Duam të drejtën tonë, të zbatohet ligji vetëm ligji”- shprehen banorët. “Jemi një lagje,130 shtëpi por kemi ardhur pak nga një njeri për shtëpi se nuk kemi lekë”- thonë banorët.

Protestuesit janë takuar rreth mesditës me Ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, të cilës i parashtruan kërkesat e tyre. Sipas banorëve, ministrja i qëndroi vendimit të parë, për pagimin e qirasë për dy vjet për ata që nuk i kanë shtëpitë të legalizuara. “Ministrja ishte e vendosur, dhe ne nuk tërhiqemi, nuk do lejojmë të na prishen shtëpitë tona. Do rrimë para parlamentit sa të marrim një përgjigje.”-u shprehën banorët.
DEPUTETI SHKËLQIM SELAMI BISEDON ME BANORËT: DO ANGAZHOHEM PERSONALISHT

Deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Shkëlqim Selami takoi banorët protestues dhe i siguroi ata se do të angazhohet personalisht për t’i dhënë një zgjidhje sa më të arsyeshme situatës. Deputeti i LSI-së për Vlorën tha se do të komunikojë me kryeministrin Edi Rama për këtë çështje, për tu dhënë përgjigje kërkesave të tyre.
Selami: Unë e kam marrë personale dhe po e zgjidh me kryeministrin, mos rrini kot këtu.
Banori: Eshtë marrë vendim për ne që do paguhet vetëm qiraja.
Selami: Askush nuk ka ardhur tek unë, unë e kam parë problemin nga televizioni dhe po përpiqem që këta të mos jenë pa shtëpi e para dhe pa prona. Ju doni të rrini të pini dhe ndonjë kafe derisa unë të komunikoj me kryeministrin dhe të mblidhemi prap më vonë, ose unë ta diskutoj dhe ju të ikni secili për hesap të tij. Do flasim pastaj.
Banorja: Jam bërë stërgjyshe në atë lagje, të dal unë në rrugë se nuk me njihet shtëpia. Me qira nuk kam mundësi. Kam një burrë 80 e ca vjet.
Edhe deputeti i PDIU-së, Dashamir Tahiri është ndalur për disa momente pranë protestuesve për të dëgjuar pretendimet e tyre. “Mos e lëshoni njëri-tjetrin si ai që ka marrë legalizim si ai që nuk ka marrë.”- deklaroi Tahiri.
RISTANI: MBESHTETJEN E DEMOKRATEVE E KENI, DO NGRE ZERIN NE KUVEND
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani i siguroi banorët e Vlorës se do t’i ngrejë shqetësimet e tyre në Kuvend. “Do vijmë të mundohemi të ngremë gjithë popullin në protestë, të bëheni të gjithë bashkë. Unë do ta ngre edhe sot në parlament. Mbështetjen e demokratëve e keni. Mbështetjen e socialistëve nuk e keni, do vijnë t’ju prishin shtëpitë me buldozer”- deklaroi Ristani.
PROTESTAT NE VLORE
Banorët e lagjes  “Kushtrimi” të Vlorës vijojnë prej disa ditësh protestat e tyre, duke bllokuar rrugët apo duke u futur me force në ambientet e Bashkisë së Vlorës. Në parullat e tyre shkruhej: “Jemi autoktonë”, “Z.Rama, mos u bëj vrasës fëmijësh” etj. Njëherësh ata janë shprehur se janë pro ndërtimit të rrugës Trans-Ballkanike, por nga ana tjetër duan një strehë ku të jetojnë. “Mos i bëj nënat me shami të zeza”, “Protesta jonë nuk është politike”… Këto janë disa nga mesazhet që ata i kanë drejtuar kreut të qeverisë për të zgjidhur problemin e tyre.

QEVERIA: 5.1 MILIONË USD PËR SHPRONËSIMET NË VLORË
Ndërkohë qeveria vendosi të japë një një fond prej 5.1 mln USD për të shpronësuar familjet e lagjes “Kushtrimi” që do të preken nga ndërtimi i autostradës, si zgjatim i rrugës Trans-Ballkanike që lidhet me të. Ndërsa fondi i qirasë për ata që nuk kanë shtëpitë e tyre do të jetë 200 mijë dollarë. Ministria e Zhvillimit Urban sqaroi se qeveria ka marrë një vendim për të shpronësuar sipas ligjeve në fuqi pronarët e disa banesave me leje ku do të kalojë rruga. Ndërsa përveç shpronësimit, qeveria ka ofruar qira për dy vitet e ardhshme për ato familje që i kanë banesat pa legalizim apo në proces legalizimi. “Qeveria Shqiptare ka marrë një vendim për të shpronësuar sipas ligjeve në fuqi pronarët e disa banesave ku do të kalojë rruga që do të lidhë qytetin e Vlorës me rrugën nacionale. Bëhet fjalë për një segment rrugor që do të nxisë turizmin dhe zhvillimin ekonomik jo vetëm në Vlorë, por edhe në të gjithë zonën jugore të Shqipërisë”, thuhet në sqarimin e ministrisë. “Qeveria shqiptare përveç shpronësimit të pronarëve të ndërtimeve me leje, ka ndërmarrë edhe një hap më shumë me karakter social, duke ofruar qira për dy vitet e ardhshme për ato familje, të cilat jo vetëm kanë ndërtuar pa leje, por edhe nuk i kanë ndërtimet e tyre të legalizuara apo në proces legalizimi”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Zhvillimit Urban. Ministria bëri thirrje se politizimi i projektit të rrugës është kundër interesave të qytetit dhe banorëve. “Teksa ndërtimi i rrugës i shërben zhvillimit të mëtejshëm të Vlorës, politizimi i këtij projekti dhe hapave që qeveria po ndërmerr shkon kundër interesave të qytetit dhe banorëve të saj”.

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb