Inspektorati i IKMT ka shkuar mesditën e sotme në bashkinë e Kuçovës për t’u njohur me akuzat e banorëve të fshatit Lumas lidhur me investimin e ujësjellësit të burimit të Sinecit. Ata pas kontrollit në bashkinë e Kuçovës janë ndalur në zonën e vendburimit të Sinecit, që sipas banorëve dhe ADZM Elbasan është “zonë e mbrojtur” dhe nuk duhet prekur.

Gjatë inspektimit, IKMT ka pasur përplasje me banorët e zonës, të cilët janë irrituar duke ju bllokuar rrugën inxhinierit të urbanistikës së bashkisë së Kuçovës si dhe përfaqësuesve të IKMT-së Tiranë, të cilët ishin të shoqëruar për inspektim me inxhinierët e kompanisë Salillari. Banorët e Lumasit kanë deklaruar se ata u irrituan sepse IKMT nuk kishte arsye të merrte me vete për inspektim inxhinierë të firmës Salillari. Ata kanë pohuar se prej 4 muajsh janë dhunuar prej policisë dhe firmës, që ka shkatërruar të gjithë zonën e mbrojtur.

“Ata na thanë që do të veprojnë sipas ligjet duke na dhënë të drejtë sepse zona e mbrojtur është shkatërruar. Na thanë se nuk do jepen vendime pa u konsultuar. Unë u kam treguar hartën që tregon zonën e mbrojtur me burimin dhe ndërtesën. Përgjigja e tyre ishte se do të vepronin sipas ligjit. Ndoshta IKMT nuk ka besim tek punonjësit e saj, siç ishin inspektorët e IKMT Elbasan që konstatuan edhe shkeljet e rënda në këtë zonë por IKMT duhet vetëm të zbatojë ligjin dhe të mos përfshihet me asnjë aferë”-,janë shprehur banorët.

Nga ana tjetër avokati i çështjes, Arben Llangozi, tha se grupi i inspektimit pyeti vetëm inxhinierët e Bashkisë dhe inxhinierët e firmës Salillari. Ai e ka cilësuar “skandal” pjesëmarrjen në inspektimin e IKMT-së Tiranë të inxhinierëve të Salillarit, duke deklaruar se nuk do të ndalen proceset gjyqësore derisa banorët e Lumasit të fitojnë të drejtën e tyre sipas ligjit.

Prej 4-muajsh nuk kanë ndalur për asnjë ditë protestat nga banorët e Lumasit të cilët kundërshtojnë ndërtimet e ujësjellësit tek burimi i Sinecit pasi sipas tyre, projekti po dëmton zonën e mbrojtur duke shkatërruar burimit, që sipas tyre është i vetmi burim jetese.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb