NGA AGRON LLUPI*

FIER- Pa asnjë zgjidhje dhe shpresë për të ardhmen, të frikësuar nga rezultatet e analizave të ISHP-së banorë të fshatit Marinzë, mes tyre edhe gra shtatzëna, janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian, në kërkim të një azili. Ata që kanë mbetur ende në fshat akuzojnë shtetin se u ka helmuar gjithçka ajrin, tokën e ujin.

Ndërsa çdo ditë që kalon, zbardh të dhëna tronditëse mbi situatën në Marinzë, dhjetëra banorë tashmë kanë braktisur jetën në këtë fshat, duke u larguar drejt qytetit, e një pjesë për emigrim drejt vendeve të Bashkimit Europian, më së shumti drejt Gjermanisë.  Banorët e mbetur shprehen të pashpresë, e veçanërisht pas publikimit të rezultateve të analizave nga ISHP.

Mes të larguarve ka edhe gra shtatzëna me frikën e abortit, për shkak të nivelit të lartë të ndotjes.

Publikimi i rezultateve të analizave të ISHP për zonën e Marinzës ka sjellë rritjen e ankthit tek banorët të cilët deklarojnë se çdo produkt bujqësor e blegtoral është i ndotur.

Për këtë arsye, kanë protestuar me shishe qumështi pranë zyrave të Bankers Petroleum. Për shkak të kontaminimit, uji i pijshëm dhe ai i puseve në Marinzë nuk përdoret prej javësh, me një urdhër të drejtorisë së shëndetit publik. E vetmja zgjidhje janë autobotet, që sipas banorëve janë të pamjaftueshme. Edhe pse ka kaluar një muaj nga shpërthimi i pusit të naftës, banorët deklarojnë se ende nuk janë dëmshpërblyer.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: