NGA ERJON SKËNDAJ*

FIER- 10 ditë pas shpërthimit të pusit të naftës në Marinzë të Fierit shumë prej familjeve kanë braktisur gjithçka, shtëpi dhe prona që ndodhen fare pranë zonës së cilësuar si zonë e rrezikshme duke u strehuar tek familjarët e tyre. Ndërsa kompania Bankers ka rrethuar një pjese të zonës pranë pusit P29, ku dhe shpërtheu fontana duke mos i lejuar banorët ti afrohen tokave të tyre që janë mbuluar nga një shtresë e trashë argjile dhe ujërash nëntokësor. Ky fakt ka irrituar banorët që thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihme financiare emergjente as nga shteti e as nga kompania Bankers.

Bashkëjetesa me puset e naftës duket se ka lënë gjurme tek çdo familje e fshatit naftëtar të Marinzës. Siç tregojnë vetë banorët ,në fshat nuk ka shtëpi të mos ketë një të sëmurë me karbon në gjak që ka çuar në rritje të numrit të vdekjeve nga gazi dhe ndotësit atmosferikë të nëntokës.

Për gjithçka banorët bëjnë përgjegjës kompaninë Bankers se ka shfrytëzuar pa kriter pasuritë nëntokësore të Marinzës në një kohë që shprehen të alarmuar se mund të ketë shembje të reja tektonike të tokës si rezultat i argjilës dhe ujërave të dala nga nëntoka në sipërfaqe.

Ndërkohë mjekja Antoneta Dhima thotë se rastet e paraqitura në Spitalin e Fierit, nuk kanë komplikacione dhe niveli i intoksikimit ka qenë i mesëm dhe i ulët.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: