NGA MARIGLEN MËRTIRI*

TIRANË- “Ura e Paskuqanit është kthyer si ura e Ibrit në Mitrovicë”. Ky është përfundimi që kanë dalë banorët e Paskuqanit pas bllokimit 10-ditor të urës që komunikon me Tiranën. Pa asnjë tabelë informuese dhe pa asnjë punëtor për të mirëmbajtuar apo rikonstruktuar urën, gjendja e saj ka mbetur si në fillim të janarit kur përmbytjet nuk kursyen as konstruksionin e saj.

Moslejimi i qarkullimit sipas banorëve ka një kosto për ta, për automjetet private, për furgonin e shkollave por edhe për bizneset e zonës. Ata janë të gatshëm të fillojnë rikonstruksionin vetëm që lëvizshmëria mbi këtë urë të funksionojë. Megjithëse pa rrugëdalje, tentuan ditë më parë ti largonin pengesat por nuk u lejuan nga policia.

Fëmijët dhe prindërit detyrohen të bëjnë disa minuta në këmbë për të kaluar urën dhe hipur në furgonët e shkollës që i presin nga krahu tjetër.

Bizneset e zonës së Paskuqanit por edhe të Tiranës janë më të irrituarit pasi xhiroja ditore e tyre ka rënë në mënyrë drastike gjatë këtyre ditëve që është bllokuara ura. Këtë situatë e kanë shfrytëzuar edhe disa autobusë jashtë linjave të licencuara që bëjnë transportin e qytetarëve.

Banorët kërkojnë të restaurohet ura dhe të fillojë lëvizja ose në të kundër ata vetë do të largojnë forcërisht betonet që mbajnë të ndarë dy qytetet Tiranën dhe Kamzën.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: