FIER

Anëtarë dhe simpatizantë të PD dhe LSI-së si dhe qytetarë të Fierit janë mbledhur në hyrje të qytetit të Roskovecit me thirrjet “Rama ik”, ndërsa janë përplasur edhe me forcat e policisë. Protestuesit kanë djegur goma në hyrje të qytetit si shkak i vizitës së kryeministrit Edi Rama.

Tensionet/ Në Fier edhe Garda e Republikës
ORA 11:30- Pas tensioneve dhe përplasjeve mes forcave të policisë në Fier, gazetari Ervis Kuçi raporton për BalkanWeb se në ndihmë të tyre janë shkuar edhe efektivë të Gardë së Republikës.

Kreu i PD-së në Fier Luan Baçi që po negocion me policinë për hapjen e kordonit policor që ata të shkojnë të protestojnë afër vendit ku kryeministri Rama po zhvillon një takim me gratë e Fierit. “Hapeni rrugën, jemi nisur për një protestë paqësore, nga se keni frikë, nga se ka frikë Rama sot”, dëgjohet Baçi.


Rama pritet me protesta në Fier

ORA 11:00- Policia ka parashikuar që të pengojë protestuesit që t’i drejtohen vendit po zhvillohet takimi i Ramës. Ka përfaqësues të Gardës, Policisë së Shtetit. Protestuesit kërkojnë të kalojnë nga ana tjetër që të zhvillojnë një protestë paqësore. Me aq sa duket ka patur tentativa të përhershme për të kaluar këtë kordon, për të shkuar drejt vendit ku kryeministri ka zhvilluar takimin.
Protestuesit janë të vendosur të kalojnë në anën tjetër

Në mes të protestuesve është edhe drejtori i Policisë , i cili po negocion kryesisht me zonjat”, raporton gazetari Ervis Kuci për “BalkanWeb”.

Gjatë negocimit me drejtorin e Policisë, ish-deputeti Luan Baçi  kërkon që policia t’i hapë rrugën.

“Juve pse na ndërprisni pa asnjë incident, pa asnjë gjë. Ju lutem përse i godisni protestuesit. Ne do vazhdojmë, juve pse na ndaloni zotëri. Ne jemi qytetarë. Ne po vemi drejt një lokali tjetër. Ne do pimë kafe pse na pengoni. Unë po ju them, jeni të sigurtë që mund t’i mbani këto qytetarë. Qytetarët janë një uragan nuk përmbahen. Nga se keni frikë? Na lini të kalojmë. Na lini në rrugën tonë, jemi në lagjen tonë. Na lini të kalojmë. Nëse ka frikë kryeminisyri duhet të japë dorëheqjen”, dëgjohet Luan Baçi gjatë negocimit me drejtorin e Policisë.

Ndërkohë sipas Partisë Demokratike, Rama ka ndryshuar rrugën pas protestës së banorëve.

“Edi Rama nuk shkoi dot në Roskovec sot, pasi qytetarët i bllokuan hyrjen në qytet. Protesta po vazhdon në rrugën që lidh Fierin me Roskovecin me thirrjet “Rama Ik” dhe “E duam Shqiperine si gjithë Europa”. Për shkak te bllokimit të rrugës, Rama ka ndryshuar oraret në axhendën dhe lëvizjet në qarkun e Fierit.”shprehet PD.

 

Në mbështetje të tyre janë të pranishëm edhe ish-deputetët, Enkelejd Alibeaj dhe Kejdi Mehmeti.

Sipas Alibeajt, qytetarët i janë përgjigjur në këtë menyrë aksioneve të Qeverisë, duke u ndalur edhe tek prishjet e fundit që kanë ndodhur në Roskovec në kuadër të rikonstruksionit të qendrës së qytetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb