LIBRAZHD

Paraditen e kësaj të marte dhjetëra banorë të fshatit Spathar në Njësinë Administrative Qendër në Bashkinë e Librazhdit kanë zhvilluar një protestë para hyrjes së Godinës së Bashkisë së Librazhdit për të kërkuar që pushteti vendor të kujtohet për të investuar edhe në fshatin e tyre që ndodhet fare pranë qytetit.

Protestuesit e zhgënjyer nga të gjitha qeveritë qendrore dhe lokale kanë kërkuar që të paktën të investohet për rrugën e fshatit të tyre gjatësia e të cilës nga aksi i rrugës kombëtare Librazhd -Prrenjas deri në skajin më të largët të Spatharit është vetëm 3 km, por sipas protestuesve edhe pse atyre u është premtuar për shumë vite me radhë, asgjë nuk është bërë dhe ata vazhdojnë të vuajnë mungesën e vetëm 3 km rrugë.

Fshati Spathar i Bashkisë së Librazhdit ka rreth 600 banorë të cilët aktualisht vuajnë mungesën e infrastrukturës rrugore dhe aktualisht është i vetmi fshat në Bashkinë e Librazhdit ku nuk është shtruar kurrë as edhe një metër lineare asfalt.

Sipas disa protestuesve të moshuar, të rinjtë e Spatharit gjithnjë e më shumë po largohen nga vendlindje e tyre në resurse e bukuri natyrore të shumta, pasi ky fshat nuk u fron më asnjë mundësi jetese dhe dita ditës, edhe pse shumë afër qytetit, po shkon drejt braktisjes me ritme mjaft të shpejta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb