KELCYRE – Pas përmbytjeve të një jave më parë në disa banesa në Këlcyrë, banorët bëjnë apel për ndihmë. Sipas tyre, deri tani nuk është bërë asnjë inventar i dëmeve dhe asnjë ndihmë nuk është dhënë, si nga pushteti lokal apo edhe nga qeveria shqiptare.
Pajisjet elektrike shtëpiake kanë dalë jashtë përdorimit, ndërsa sot banorët po përpiqen me forcat e veta të rikthejnë banesat në gjendjen e mëparshme, edhe pse kjo është mjaft e vështirë.
“Brenda u mbush komplet me ujë, frigoriferi u prish, lavatriçja u prish, edhe divanet janë prishur nga uji. Këtë kanalin që kemi hapur këtu, e hapëm vetë se dy familje këtu përmbytemi. Tek kryetari i bashkisë kam vajtur me mijëra herë nuk do të dijë fare, s’ka ardhur asnjëherë. I bëj apel kryeministrit të vijë të na shikojë në këtë gjendje që jemi ne.”- shprehen banorët.
Përmbytjet në Këlcyrë erdhën si pasojë e daljes nga shtrati i lumit Vjosë, i cili shkaktoi dëme të mëdha, si në toka bujqësore, infrastrukturë apo disa banesa. Sot për këta banorë situata është mjaft e vështirë, për shkak të dëmeve materiale.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: