Nga: BRIKENA METAJ*
PERMET – Banorët e fshatrave Grabovë dhe Argovë në Përmet kanë ngritur zërin për prerjen e druve në pyllin pranë fshatrave të tyre. Ata thonë se një firmë private që ka fituar tenderin e organizuar nga Drejtoria Pyjore e Qarkut Gjirokastër po sharron drurët disavjeçarë të këtij pylli, në një sipërfaqe prej rreth 65 hektarë, duke shkatërruar këtë pasuri natyrore të mbrojtur në vite prej vetë banorëve.

Kryeplaku i fshatit Grabovë, Koço Hormoviti thotë se pavarësisht interesimit të tyre, asnjë drejtues i pushtetit vendor nuk u ka dhënë përgjigje. Banorët kërkojnë pezullimin e aktivitetit të firmës, duke paralajmëruar se prerja e këtyre pemëve do të sjellë jo vetëm shpyllëzimin e zonës ku banojnë rreth 200 banorë, por edhe erozion, si pasojë e këtij shpyllëzimi.

“Tani na dalin disa njerëz të korruptuar, ish-kryetari i Bashkisë Bujar Ibrahimi, inxhinieri i pyjores dhe japin në mënyrë të korruptuar. Biznesmenë nga Laçi, që se njohim, as e njohim çfarë firme është fantazmë. Të merren masa, ndryshe do ngrihemi si fshat. Qeveria po flet me të madhe për të mbrojtur pyjet, dhe pyjet po priten prap nga qeveria.”- shprehen banorët.

Por sipas përfaqësuesve të Drejtorisë rajonale të Pyjores në Gjirokastër, firma që ka nënshkruar kontratë për lëndë drusore prej 1003 m3 duhet të presë vetëm lis e shkozë, pemë mosha e të cilave duhet të ketë kaluar 25 vite.

Sipas tyre këto lloj drurësh lastarizohen, duke mundësuar kështu pyllëzimin me fidanë të rinj. Ata e cilësojnë si të pavend shqetësimin e banorëve, duke garantuar moscënimin e kësaj pasurie natyrore.
“Do të priten drurët lis dhe shkozë, dhe jo llojet e tjera që mbrohen me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Nuk qëndron shqetësimi pasi këto janë lloje që lastarizohen.”- deklaroi Jorgo Ndreu, përgjegjës i sektorit të menaxhimit.

Në më shumë se dy dekada Shqipëria ka njohur një nga masakrat më të rënda në historinë e vet, duke zhdukur me zjarr e prerje për qëllim fitimi hektarë të tëra me pyje, duke shkatërruar florën e faunën. Në muajin shtator, ministri Koka bëri të ditur prezantimin e një projektligji të ri për mbrojtjen e pyjeve, që përfshin një moratorium dhjetëvjeçar për ndalimin e prerjes së pyjeve me qëllim fitimi dhe kalimin 100% nën menaxhimin e pushtetit vendor. Por sa efikas do të jetë ky moratorium mbetet për t’u parë, ndërkohë që sot e vetmja gjë e dukshme është rrënimi i pasurive tona natyrore.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: