Një banor i Bërxullës ka nxjerrë shishen e benzinës teksa ishte duke folur me gazetarët duke aluduar se do t’i vinte flakën vetes nëse nuk merr zgjidhje për pronën.

Ai tha i ka dhënë besën vajzave se nuk do të sakrifikohet, por theksoi se nuk ke ç’e do jetën pasi këtu të vrasin dhe të marrin pronën. Ndërkohë ka pyetur se ku është SPAK. Një prej policëve që ka qenë i pranishëm ka ndërhyrë duke i marrë shishen nga dora për të parandaluar një ngjarje të mundshme.

“U bënë 6 muaj që protestojmë. Dijeni, komunizmi është më i poshtri në faqe të botës. Të vret, të merr pronën, nuk lë gjë pa bërë. Ku është ky SPAK, kjo gjykatë.
Por këto nuk duan asgjë. Ky popull është i gjithi në agjërim përveç atyre që janë sëmurë. Shtetit po ia numërojnë përditë për këtë masakër që bën. Ku është prokuroria, gjykata, SPAK-u?! Tallen atje në karrige. Radhën tjetër thashë do flijoj veten. Sot nuk e bëj. I kam dhënë besën vajzave të mia në Itali. Është krim të vrasësh veten për këta. Por të detyrojnë duke u tallur me popullin. Nuk është dhënë as dëmshpërblimi i asaj rruge”, tha ai.

“Të bësh masakër, nuk ke çe do jetën kur të merret prona, kur nuk të njeh kush, nuk ulet kush me ty. Nuk thotë kush hajde flasim. Nuk ka më keq më. O vëllezër o motra le të na vrasin. Ne do ta ndjekim rrugën tonë ligjore. Do i drejtohemi Strasburgut”, u shpreh ai.

Ai ka paralajmëruar protestë ditën e hënë me bllokimin e rrugës.
“A jeni gati të dalim nesër në këtë rrugë. Pa ardhur Belinda Balluku nuk e hapim këtë rrugë. Nesër në 10 do ta zëmë rrugën, o të vijë ministrja o s’ka. Pa ardhur ajo që ka çekun, ose të marrë makinën sonte e të shkojë shtëpi më shtëpi, të na japë hakun si na takon dhe të bëjë qejf me rrugën”, tha banori.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb