Nga Rovena Hoxha
Gjithandej flitet pa pushim për barazinë gjinore, fenomen që në botë ka disa dekada që ka evoluar më së miri. Gjithsesi elokuenca më e bujshme vjen nga vetë gjinia femërore me shoqata e fondacione të pafundme që mbas viteve 90-të e në vazhdim në realitetin shqiptar.

Por, a i vijnë në ndihmë realisht qenies delikate njerëzore ato, gruas, njeriut që sakrifikon gjatë gjithë jetës duke kontribuar për të gjithë?

Në media madje, midis shumë “megalomanive të bujshme” për të ndihmuar ato, gratë, kohët e fundit flitet shpesh edhe për një paketë sociale, e cila aplikohet në disa vende të BE, ku ka shtet të mirëfilltë demokratik e standarde të jetës europiane si për meshkujt, ashtu edhe për femrat njëlloj. Ku, sipas të cilës pushteti vendor me një formë të moderuar të civilizimit familjar mbështet një çift të lidhur, i cili kërkon të ndërtojë familje duke u mbështetur mbi aftësitë dhe të ardhurat e ndërtuara në mënyrë të barabartë prej tyre, pa trashëguar ende asgjë nga nëna apo baballarët e vet. Kjo paketë sociale ofrohet nga pushteti vendor për t’i shërbyer si bazë ndihme jetese këtij çifti, i cili sapo nis jetën e vet. Pra, e thënë shkurt, vajza dhe djali duhet të lodhen për të mësuar, për t’u kualifikuar, për të punuar e siguruar të ardhmen e vet me forcat e tyre, por duke kontribuar në mënyrë të barabartë si mashkulli, ashtu edhe femra. E, kjo është formë e lartë e të shprehurit e barazisë gjinore mes çiftit, dhe askush nuk mendoj, se vendi ynë mund të realizojë një model të tillë të barazisë gjinore.

Por, të paktën, të respektohet ajo nga vetë këto gra, që janë në krye të qindra shoqatave të vetë grave, të ndihmojnë ato vetë konkretisht vajzat e gratë, të arsimojnë ato vetë sa më shumë vajza e gra në nevojë, të strehojnë ato vetë me stafin dhe me kapacitete e tyre kryesisht gra, të kthejnë në udhë të drejtë për të vazhduar jetën normalisht, ato që janë abuzuar nga prindërit, nga familja, nga bashkëshortët apo dhe nga tutorët e ndryshëm abuzive; nga eprorët e tyre, nga të afërmit e tyre, nga fëmijët e tyre, nga punëdhënësit e tyre, nga shteti dhe pse jo edhe nga feja.

Po, po nga feja! Si, do thoni ju? Në Shqipëri pas viteve 90-të njerëzit kanë vërshuar nëpër kisha e xhamia, gjë që u është ndaluar në regjimin e E.Hoxhës me ndërtimin e të ashtuquajturit “njeriu ri i realizmit socialist”. Dhe kjo solli disi një ekuilibër social, siç ndodh kudo në botë. Por kush i menaxhon mbarëvajtjen e tyre, d.m.th. objektivat, ligjërat dhe kurrikulat e tyre? A keni vënë re para xhamive sa shumë njerëz shkojnë e falen, me mjekër ose jo, me shamia e tek tuk pa shami?!E këto të fundit presin të mbarojë lutja, e të dali ai-bashkëshorti, i fejuari, apo burri besimtar…Dhe si fillim, ato besojnë se ai nuk u kërkon të mbulohen me shami. Por, pas disa javësh, pak e nga pak “ai” lë mjekër, e pak nga pak rëndohet, mbyllet në vetvete me kuran në dorë, dhe nuk t’i hedh më sytë me respekt, derisa të kesh mbuluar kokën me shami…Ato besojnë, se askush nuk i detyron të mbajnë shami, por ata(meshkujt e tyre) nuk besojnë me tek ato dhe nuk i respektojnë më si dikur, sepse ato duhet të mbajnë shami. Me zë ose jo, kjo është dhunë, mbase dhunë verbale, dhe gratë duhet te bëjnë si i thonë ata…Kjo është barazia gjinore?! E për çfarë “pakete sociale” mund të flitet në Tiranën tonë? Ironike, e dhimbshme, e lënë në mëshirë të fatit dhe kjo “barazi gjinore”.

Shoqëria njerëzore përgjatë historisë ka pasur prirjen që të shtypë të dobëtit, të frustrojë të margjinalizuarit dhe të shfrytëzojë qeniet e brishta, siç janë dhe gratë, duke u mohuar dinjitetin e merituar. Në këtë kontekst shpesh ato, dekada më parë janë konsideruar si shërbëtore, si urdhër zbatuese apo si objekte-mjete të rëndomta te jetës, të cilat janë pronë e bashkëshortit të tyre. Kjo tashmë nuk mund të besohet dot, por raste ka boll në realitetin shqiptar, veçanërisht rural; pse jo dhe në zemër të Tiranës.

Barazia gjinore në vendin tonë gjen zbatim vetëm për detyrimet që kanë gratë, dhe aspak për të drejtat e tyre. Si p.sh. kur gratë dalin në pension, po aq sa burrat duhet të arrijnë moshën 67 vjeç. Duhet harruar këtu, sa patriarkale është familja shqiptare, ku gruaja punon e kontribuon në të për çdo gjë nga mëngjesi e gjer vonë në mbrëmje, kur pushon e rraskapitur ato pak orë gjumë. Gruaja shqiptare në familje punon pa pushim çdo punë, dhe këtë e bën pa asnjë shpërblim, veç kënaqësisë mëmësore. Dhe, akoma ka raste rëndom ku burri ha, pi e madje mban këmbët lart mbi tavolinë…e ndërsa ajo punon.…Edhe kjo është “barazia” jone gjinore?!

Psikologjia detajon qartë se, personin me të cilin jeton mund ta njohësh shumë mirë, nëse ke një debat, një hall, a një konflikt familjar, të cilin ai duhet minimalisht të të mbështesë. Por, jo, sjellja e tij lexohet qartë dhunshëm, sidomos kur ai ndjehet i pazoti, dhe kur nuk ka të drejtë reagon duke bërtitur, sharë, përçmuar apo rënë me grusht tavolinës…

Dhe kjo marrëdhënie evoluon keq e me keq në kohë, sa më shumë modele të tillë të ketë jetuar ky mashkull nga origjina e vet familjare dhe shoqërore gjate rritjes. /Gsh.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: