Ka lënë një shije të hidhur për presidentin e Dinamos, Adrian Bardhin, barazimi i së premtes së kaluar me Laçin. Për mënyrën si u vendos rezultati, me atë gol të pësuar në shtesë, por mbi të gjitha për gjykimin, që në disa episode kyçe të ndeshjes ishte kundër Dinamos, duke e dënuar këtë skuadër te pikët, siç pohon edhe vetë numri një i klubit blu.

GJYKIMI – “Patjetër që jam i mërzitur nga ai barazim me Laçin. Duhet të kishim fituar, por ndeshja shkoi ashtu si ju e patë. Në disa momente u ndëshkuam nga vendimet e arbitrave. Po t’i marrim me radhë, janë disa, duke nisur nga goli i Sofranakut, që unë mendoj se është i rregullt.

Lojtari ynë, në momentin kur krosohet topi, është brenda dhe pastaj rikuperon dhe del përpara e godet me kokë. Kemi edhe një rast penalltie, që na jepte mundësinë të shkonim në 2-0.

Pastaj, ka edhe një rast tjetër që askush nuk e përmend, është rasti i ndërhyrjes së qendërmbrojtësit kundërshtar (Malotës) ndaj Çinedusë si lojtar i fundit. Në një rast të ngjashëm, lojtari i Teutës u ndëshkua me karton të kuq në Shkodër dhe e la skuadrën me 10 vetë, kurse në rastin tonë kundërshtari nuk mori as të verdhë.

A nuk është turp ky? Futbolli kaq është: një gol i anuluar, një penallti e padhënë, një karton i kuq i padhënë kundërshtarit. Këto gjëra bëjnë diferencën, ndaj dhe them se për ne ishte si një dënim. Por, le ta quajmë një rastësi… Ne duam vetëm drejtësi në fushë, vetëm kaq”, tha për “Panorama Sport” presidenti Bardhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb