Barcelona nuk ka arritur të dalë me pikë të plota në takimin e sotëm kundër Real Betis, pasi rezultati u mbyll me shifra të barabarta 1-1. Madje “blaugranët” pak minuta para se të përfundonte takimi ishin në disavantazh, por iu falën këmbëve të Suarez i cili në të 90-ën riktheu edhe një herë baraspeshën që do të rezultonte vendimtare deri në përfundim të ndeshjes.

Edhe pse Betis iu imponua Barcelonës me lojë, për gjigandët spanjoll skuadra kundërshtare nuk ishte e vetmja e cila duhej mposhtur sot, pasi sipas tyre ata kanë luajtur me 12-të vetë, duke përfshirë këtu edhe arbitrin.

Ai që është acaruar më shumë në kampin blaugran ka qenë braziliani Neymar, i cili në përfundim të takimit ka postuar disa çaste nga ndeshja ku pretendon se gjyqtari ka gabuar. Sipas tij, Barcelonës sot iu mohua një 11-të metërsh i pastër dhe një gol i cili kishte kaluar vijën e portës.

Kohët e fundit në kampionatin spanjoll Barcelona është ankuar shumë në këtë aspekt pasi sipas tyre arbitrat nuk po e bëjnë punën ashtu siç duhet, duke dhënë vendime të padrejta për ta. Nuk ka kaluar shumë kohë kur Pike për këtë situatë bëri përgjegjës presidentin e La Ligas, por duket se edhe pse rastet po përsëriten javë pas jave, asnjë masë nuk është marrë.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb